Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore në 14 komuna në Mal të Zi, tregojnë për një fitore të forcave politike pro-ruse dhe pro-serbe, të cilat i fituan edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.
Pavarësisht se koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual MiloGjukanoviç fitoi më shumë vota megjithatë “Fronti Demokratik”, “Demokratët” dhe partia e sapo themeluar “Evropa Tani”, në një koalicion të mundshëm mund të ushtrojnë pushtetin në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricën.
Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik (CDT) edhe pse partia pro-evropiane e presidentit Gjukanoviç fitoi më së shumti mandate në disa qytete, për shkak të mungesës së koalicioneve të mundshme pas zgjedhor, pushtetet vendore do të formohen nga kundërshtarët e tyre politikë.
Përveç Podgoricës, Partia Demokratike Socialiste me aleatët e vet humbi Danilovgradin, Kolashinin, Zhablakun, Plevlen, kurse arriti të mbajë pushtetin në Bijelo Pole dhe Tivar. Ndërkaq, Fronti Demokratik pro-serb arriti ta ruaj pushtetin absolut në qytetin bregdetar, Budva.
Këto zgjedhje u vlerësuan si shumë të rëndësishme pasi gara u zhvillua mes dy grupimeve politike që kanë dominuar prej vitesh në Mal të Zi. Në njërën anë ishin partitë pro-malazeze të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, që mbi 30 vite e mbanin pushtetin në Mal të Zi dhe në anën tjetër ishin partitë që fituan zgjedhjet e vitit 2020, të njohura si grupimi pro-serb dhe pro-rus.
Zgjedhjet mbahen në kulmin e krizës politike në vend, kur qeveria në largim e kryeministrit Dritan Abazoviq humbi besimin dhe shumica parlamentare nuk arriti të formonte një qeveri të re. Kështu që këto zgjedhje janë edhe një test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi.
Zgjedhjet vendore u mbajtën në 14 komuna në Mal të Zi dhe sipas vëzhguesve që e monitoruan procesin zgjedhor, ai ishte mjaft i qetë dhe demokratik./voa