Makina përplas 8-vjeçarin në hyrje të shkollës, në Skrapar

Një fëmijë 8 vjeç është aksidentuar sot përpara shkollën 9-vjeçere “Zylyftar Veleshnja” në Skrapar. Ka qenë mjeti tip “Ford” me targa AA 579 OD që e ka goditur fëmijën kur po kalonte me vrap rrugën për të hyrë në shkollë.

Fëmija i plagosur, nxënës i klasës së dytë në shkollën 9-vjeçare të Skraparit, është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku raportohet se ka dëmtime të rënda në të dyja këmbët. Sipas mjekëve të Spitalit Rajonal të Beratit, fëmija aktualisht ndodhet në sallën e operacionit, ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat të shumta policie që po kryejnë edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, për të hedhur dritë mbi shkaqet e aksidentit. Burimet policore konfirmojnë se drejtuesi i mjetit Anuel Bregu,44-vjeç,është shoqëruar në polici, kur edhe do të merret në pyetje në lidhje me aksidentin.

Njoftimi i policisë:

Skrapar/Informacion paraprak

Në lagjen “Estref Caka”, shtetasi A. B., 44 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar një shtetas të mitur 8 vjeç, i cili është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore.

Drejtuesi i automjetit u shoqërua në komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.


Shtuar 25.10.2022 12:21