Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Rishi Sunak takohen të premten në Paris në një Samit që synon riparimin e raporteve mes tensioneve të shkaktuara pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (Brexit).
Gjatë Samitit, dy vendet pritet të diskutojnë përmirësimin e bashkëpunimit ushtarak dhe ekonomik, si dhe të shtojnë përpjekjet për të ndaluar kalimet e paligjshme të emigrantëve përmes Kanalit nga Franca në Angli.
Samiti franko-britanik, i pari i llojit të tij që nga vitit 2018, pritet të dëshmojë hapjen e një “kapitulli të ri” në raportet midis dy vendeve, tha zyra e presidentit Macron. Samite të tilla janë mbajtur çdo vit në të kaluarën.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia afroi Britaninë dhe fqinjët e saj evropianë, në mbështetje të Kievit, dhe marrëdhëniet u përmirësuan edhe më shumë pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga Sunak në tetor, pas mandatit të shkurtër dhe ekonomikisht destabilizues të Liz Truss.
Vizita e Sunak vjen dy javë përpara se mbreti Charles III të udhëtojë në Francë dhe më pas në Gjermani për vizitat e tij të para shtetërore si monark, në përpjekjet e mëtejshme britanike për të ndërtuar ura me fqinjët evropianë.
“Samiti do të jetë mbi të gjitha një mundësi për të riafirmuar dhe thelluar bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të mbështetjes ushtarake për Ukrainën”, thuhet në deklaratën nga zyra e Macron, pasi të dyja vendet janë të vetmet fuqi bërthamore në rajon.
Një delegacion prej shtatë ministrash të lartë nga dyja vendet do të marrë pjesë në Samit, duke përfshirë ata përgjegjës për punët e jashtme, mbrojtjen dhe çështjet e brendshme.
Muajin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dhe BE njoftuan një përparim në bisedimet për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi marrëveshjet tregtare pas Brexit-it për Irlandën e Veriut.
Britania e ka mirëpritur gjithashtu propozimin e Macron për krijimin e një Komuniteti Politik Evropian, një forum i ri që synon rritjen e sigurisë dhe prosperitetit në të gjithë kontinentin.
I nisur në tetor, ky propozim bashkon anëtarët ekzistues të BE-së, shtetet e Ballkanit që janë aspiruese të jenë pjesë e bllokut, Evropën Lindore, si dhe Britaninë e Turqinë./REL/