SPAK dha sot pretencën për vrasjen e Regis Runajt dhe Emiljan Ramazanit. Për Xhuliano Hoxhën është kërkuar 30 vite burg, ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë, 12 vite.
Në seancë ka qenë i pranishëm edhe babai i Regis Runajt. Ai ka prekur me fjalimin e tij në seancë.
“Ne jemi të varfër, kërkojmë drejtësi, gruaja imë është e sëmurë, shpesh e mbyll në shtëpi, djalin ma vranë me 27 thika, iu them këtyre djemve që vetëm një thikë më mjafton për të ikur te djali im. Ju i përqafoni fëmijët tuaj ndërsa unë rri e pres në shkallë. Dua që çunat të marrin aq sa meritojnë asnjë ditë më shumë”
Kujtojmë se vrasjet dyshohet se janë urdhëruar nga Erjon Alibej. Por kush ishte Emiljano Ramazani dhe përse u eliminua? Cila është lidhja e tij me vrasjen vetëm 9 ditë më pas mikut të tij, Regis Runaj? Cila ishte përplasja e grupit të tij ku ai bënte pjesë me atë të vëllezërve Alibej? Dhe cilat ishin vrasjet që shoqëruan këtë përplasje e cila mori trajta tragjike?
Një i penduar i drejtësisë do të rrëfente vrasjet e Emiljano Ramazanit dhetë Regis Runaj. Ai që ishte personi i fundit që ishte takuar mbrëmjen e vrasjes me këtë të fundit. Ndërsa Regis Runaj nuk e kishte kuptuar se personat me të cilët po shoqërohej kohët e fundit, ishin porositur për eleminimin e tij.Ky i penduar do të ishte Euglen Halili. Që rezultoi të jetë edhe vrasësi i Regis Runaj.
Ku për t’iu afruar sa më shumë presë tyre, dhe për të shmangur çdo dyshim të tijin mbi ta, ai dhe personat e tjerë në krim, shfrytëzuan hobin e tij për motorrat dhe shpejtësinë. Pasditen para ngjarjes, sipas dëshmisë të siguruar ‘Në Shënjestër’, Regis Runaj u takua në orën 17.30 në Shënkoll të Lezhës me Egisel Llapushin. Sipas tij, Regisi ishte marrë me shpërndarje narkotikësh dhe ishte dënuar më herët në Zvicër për këtë krim. Gjatë dëshmisë së tij, Egisel Llapushi, deklaroi se natën e ngjarjes, Regis Runaj ishte në shoqërinë e tij, Keidi Hazizollit, Xhuljano Hoxhës dhe Euglen Halilit. Lidhur mbi këtë dëshmi, policia shoqëroi për të marrë në pyetje, Xhuliano Hoxhën dhe Euglen Halilin.
Të cilët deklaruan se mbrëmjen e vrasjes së Regisit ata kishin shkuar në një park në afërsi të varrezave të qytetit të Elbasanit, ku kishin konsumuar hashash. Më pas Xhuliano Hoxha dhe Keidi Hazizolli kishin lëvizur bashkë, ndërsa Euglen Halili kishte lëvizur me viktimën Regis Runaj, me motor të drejtuar nga viktima. Menjëherë pasi morën këtë të dhënë, policia ushtroi kontroll në banesën e Euglen Halilit, nga ku në motorin e tij tip ‘Lifan’, poshtë pjesës së brendshme të sediljes, ekspertët gjetën gjurmë gjaku. Ku pas analizës së ADN-së, rezultoi të ishin të viktimës Regis Runaj. I gjendur përballë një prove të tillë të pakundërshtueshme, Euglen Halili, vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke treguar se ishte ai vrasësi i Regis Runaj./albeu.com/