Lumë komentesh negative/ Të huajt nxijnë Sarandën dhe “Maldivet e Europës”: Kudo është pis dhe rrëmujë, çdo gjë në ndërtim

Teksa retorika politike brenda vendit po kërkon “tradhtarët” që po nxijnë turizmin duket se operacioni për të gjetur këta të fundit, duket të shtrihet edhe në Cagliari të Sardenjës apo në Britani e më gjerë anekënd globit.

Së fundmi, Tripadvisor një platformë që ka një popullaritet të gjerë mes udhëtarëve, është “nxirë” me komente negative për Sarandën dhe Ksamilin.

Në çdo vend të botës “review”, pra vlerësimi merret si një informacion që i shërben turistit se ku të shkojë e ku jo dhe biznesit apo destinacionit se ku të përmirësohet, në Shqipëri duket se kjo nuk shihet kështu.

Gjithçka duket se ka qenë mirë deri në fillim të qershorit, ku vlerësimet kanë qenë të mira, por rritja e fluksit të turistëve në qershor dhe korrik ka vënë në epiqendër pikat e dobëta të këtyre dy destinacioneve, ku komentet negative janë të pakursyera.

Ajo që mbizotëron për këto destinacione është fjala “pis” që përshkruan situatën e mbetjeve, dhe rrëmujë që ka të bëjë me ndërtimet në proces brenda qytetit por edhe ndërtime pafund në formë private.

“Turizmi është në fillim dhe i ngjashëm me atë të 30 viteve më parë, infrastruktura është një shkatërrim total, varfëria është kudo kundrejt ndërtimeve/hoteleve të ndërtuara nga njerëzit e pasur me kontroll lokal.

Nuk ka tregje të mëdha apo më të mëdha çka i jep mundësinë mafias lokale të diktojë çmimet. Plazhet falas jashtë qytetit”, thuhet në vlerësimin e ANA.D nga Italia.

“Unë jam i zhgënjyer në tërësi në Sarandë. Ishte e mbushur me njerëz, e pistë dhe shumë e shtrenjtë. Më vjen keq që rezervova këtu, por jam lumtur që ishte vetëm 4 ditë nga 12 gjithsej”, shprehet LordSmithers T nga Stanfford në Britani.

“Unë kam qenë në çdo vend të Ballkanit dhe Shqipëria është më e keqja deri tani. Shkëputje që na kushtoi shtrenjtë.

Hotelet me çmime pothuajse si në Londër, ushqimi me cilësi shumë të dobët dhe pijet janë të shtrenjta. Rrugët janë të pista dhe të rrezikshme, me rreziqe gjatë udhëtimit kudo.

Rezervuam për të qëndruar një javë, por hoqëm dorë pas disa ditësh dhe u kthyem në qytetërim në Greqi”, shprehet një tjetër Britanik nën emrin JohnCooze05.

Komente si këto mund të gjesh pafund online, por qeveria në vend që të reflektojë dhe të përmirësojnë ato pika ku ka emergjencë, siç është menaxhimi më i mirë i mbetjeve, ujërave të ndotura dhe plazheve, duket se kanë vendosur që energjitë t’i shpenzojnë për kundëreagime në rrjete sociale.

Shqipëria po përjeton një nga vitet më të mirë turistikë, ku sipas shifrave janë 4.5 milionë të huaj që kanë vizituar vendin deri në fund të qershorit.

Këta të fundit janë ambasadorët realë që mund të ndikojnë për mirë apo për keq imazhin, në një profil turistik ende të brishtë Shqipërisë.

Ndaj në këto kushte kur sezoni ende ka një pjesë të mirë të tij para, “s’ka kohë për pushim”, dhe këtë slogan “institucionet” e njohin mirë.


Shtuar 18.07.2024 09:33