Luljeta Bozo kundër uljes së taksave, “i qan hallin” Ramës: Nga t’i nxjerrë shteti lekët?

Deputetja e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo, është shprehur kundër uljes së taksave.

Bozo ka thënë se shteti paguan 80% të energjisë elektrike e për këtë arsye ka shtuar se shteti s’ka nga i nxjerr këto lekë.

E ftuar në një studio televizive Bozo është shprehur se njerëzit duhet të solidarizohen me situatën.

“Duhet të sensibilizohen njerëzit, se sytë në ballë i kanë. Ata shkojnë përditë që blejnë dhe menjëherë sinjalizojnë, të vijnë grupet, të kontrollojnë dhe të marrin masa. Kjo është situatë e jashtëzakonshme”, Tha Bozo për TCH.

Për sa i përket pagave nën 40.000 lekë, ajo ka thënë se janë hequr tatimet, në vitet në vijim do të rriten sigurimet dhe për pasojë dhe pensionet.

“3.000 është shtesa që merr një pensionist që merr sa gjysma e rrogës minimale, (32000 lekë nga 1 prilli). Është llogaritur sa është rritur inflacioni, aq do të kompensohen të gjitha pensionet. Do të indeksohen, dhe kjo është ndihmë. Duhet të dini që pensionet nuk dalin nga puna që kanë bërë njerëzit. Njerëzit që kanë punuar para 30-40 vitesh kanë paguar sigurime, janë prishur raportet. Tani do të fillojë pak nga pak, vit pas viti, meqë u hoqën tatimet për rrogën nën 40.000 lekë, do të kenë mundësi të grumbullohen më shumë sigurime, më shumë para dhe gradualisht do të ngrihet dhe pensioni se s’ka si të rritet ndryshe”, është shprehur Bozo.

Ndërkohë, e pyetur nëse heqja e TVSH-së është e nevojshme në mënyrë që të ulen çmimet e produkteve të konsumit, Bozo ka thënë se nuk do të ndikonte.

“Ulja e TVSH-së për konsumatorin nuk ka asnjë rezultat. Shteti subvencionon 80% të energjisë, të asaj që ne paguajmë në shtëpi, po nga t’i nxjerrë këto lekë shteti?” ka theksuar Luljeta Bozo.


Shtuar 29.03.2022 21:52