Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko mohoi të martën pretendimet e Polonisë se rreth 100 mercenarët e Wagner, të cilët ndodhen në vend, janë afruar më pranë kufirit polak, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij.
“Papritmas dëgjova një ditë më parë se Polonia është trembur se gjoja një njësi me 100 njerëz po lëviz drejt saj. Asnjë njësi PMC Wagner nuk është zhvendosur. Dhe nëse e kanë bërë, ata e kanë bërë këtë vetëm për të përcjellë përvojën luftarake te brigadat, të cilat janë të stacionuara në Brest dhe Grodno”, tha Lukashenko gjatë një vizite pune në distriktin Kamenets, në rajonin jugperëndimor të Brestit, sipas deklaratës.
Muajin e kaluar, ministria bjelloruse e Mbrojtjes tha se forcat e vendit do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake me luftëtarët Wagner pranë kufirit të saj me anëtarin e NATO-s.
Luftëtarët e Wagner kanë mbërritur në Bjellorusi pas një rebelimi jetëshkurtër nga grupi ushtarak privat në qershor.
“Më duhet të trajnoj personelin tim ushtarak, sepse një ushtri që nuk lufton është gjysma e ushtrisë”, shtoi Lukashenko sipas deklaratës.
“Kështu që ata [Wagner] janë këtu për të përcjellë përvojën e tyre.”
Aleati për një kohë të gjatë i presidentit rus Vladimir Putin tha se luftëtarët Wagner “nuk duan të shkojnë askund” dhe se ata qëndrojnë “afër Osipovichi në qendër të Bjellorusisë”./Albeu.com.