Luiza Xhuvani sërish në skenë, luftë brezash apo kimi suksesi? Sekretet e dyshes poetike

“Zoti e krijoj botën për dashurinë”, mbrëmja poetike që bën bashkë dy poetët, turkun Yunus Emre dhe serbin Milan Rakic, vjen nën interpretimin e aktorëve Luiza Xhuvani dhe Kristjan Koroveshi. Më datë 18 dhe 19 Nëntor, në skenën e Teatrit Eksperimental, do të ndjekim dialogun lirik mes Xhuvanit dhe Koroveshit, ky i fundit i ftuar në ‘Abc e Pasdites’ ditën e sotme. Në intervistën e tij për Ermal Peçi, aktori zbuloi edhe më tepër mbi këtë shfaqje.

“Zoti e krijoj botë për dashurinë’ është një nga vargjet që kam zgjedhur nga poezitë Yunus Emre dhe e kam bërë pjesën kulminante të mbremjes. Janë mesazhe të mëdha që marrin, jo thjesht riprodhimi njerëzor, por gjeneza e njerëzimit.” – shprehu Koroveshi mbi përmbatjen e mbrëmjes poetike.

Prej vitesh bashkëpunon me artisten e mirënjohur Luiza Xhuvani, qoftë në shfaqje teatrale apo në realizimet e mbrëmjeve me lirik si ky i fundit. Aktori shpreh se është duke punuar fortë sëbashku me Xhuvanin për ta bërë këtë gjini të artit skenik më të shpeshtë dhe më të frekuentuar nga publiku.

“Me Luizën kemi një marrëdhënie jashtë mase të mirë profesionale. Rolin e parë në jetë e kam bërë me të. Kemi qenë të “Hamleti”, më pas me “Medea”, dhe në projektin e fundit që punuam me të madhin Ndriçim Xhepa.” – rrëfeu ai mbi marrëdhënien disa vjeçare me aktoren.

Koroveshi, tejet i apasionuar pas sjelljes së vargjeve poetike nën magjinën e interpretimit, shprehu se emrat e mëdhenj kanë qenë gjithnjë një mbështetje për të, pasi njëkohësisht këto projekte sjellin aktorët më të dashur dhe më të shquar shqiptar në një tjetër prizmë.

“Ka luftë brezash si kudo. Artistët e mëdhenj janë shkollë e madhe për ne që jemi të rinj në profesion dhe magneti për t’i thirrur njerëzit në teatër. Kur kemi punuar te Medea, Viktor Zhusti ishte i prirur të më ndihmonte sikur të ishte profesori im.”


Shtuar 17.11.2021 18:30