Luftë dhe dimër i gjatë përpara, Klitschko mesazh BE: Na dërgoni batanije dhe gjeneratorë, përndryshe do të ngrimë

Në luftën që po vazhdon që prej 24 shkurtit, objektivi i Rusisë ka qenë për një kohë infrastruktura energjetike e Ukrainës. Ushtria ruse, e cila goditi termocentralet dhe pikat kritike të rrjetit, duket se ka adoptuar strategjinë për të detyruar vendin të dorëzohet duke e futur vendin në një krizë energjetike.

Për më shumë se dy javë, sulmet e Moskës ndaj termocentraleve dhe rrjetit më të gjerë e kanë shtyrë Ukrainën të përballet me ndërprerjet e energjisë elektrike dhe të pyesë nëse sistemi do t’i mbijetojë muajve të ashpër të dimrit.

Gjatë kësaj kohe, rreth 40% e infrastrukturës totale energjetike të Ukrainës u dëmtua rëndë nga sulmet me dronë dhe raketa të koordinuara nga komandanti më i ri i pushtimit të Kremlinit, gjenerali Sergei Surovikin.

Në ditët në vijim, temperaturat e natës në të gjithë Ukrainën pritet të ulen dhe në disa rajone pritet të zbresin deri në -20 gradë.

Ndërsa shumë ukrainas jetojnë në ndërtesa të shkatërruara nga lufta pa gaz dhe pa dritare, e vetmja metodë që ata përdorin për të ngrohur shtëpitë e tyre është energjia elektrike.

Ndërsa zyrtarët e pranojnë nevojën “e dëshpëruar” të Ukrainës për armë të rënda dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, ata gjithashtu kanë nevojë për batanije, veshje dimërore dhe gjeneratorë për të mbijetuar këtë dimër.

Vitali Klitchko, kryebashkiaku 51-vjeçar i Kievit dhe ish-kampioni i botës në boks në peshën e rëndë, tha për The Telegraph se sulmet e përshkallëzuara të Rusisë ndaj termocentraleve e kanë sjellë vendin e tij në prag të një krize të re humanitare.

Megjithëse Klitchko ishte përgjegjës vetëm për qytetin e Kievit, ai dëshmoi dhunën më të tmerrshme kundër civilëve në periferitë e jashtme të qytetit, duke përfshirë Irpin, Bucha dhe Borodyanka./albeu.com


Shtuar 29.10.2022 08:12