Me një rrëfim të fuqishëm dhe emocional, Venesa Sylejmani vajza e Shyrete Tahiri-Sylejmani, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, hapi Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ajo ndau me pjesëmarrësit dhimbjen e trashëguar dhe pasojat e traumës ndër breza, duke theksuar se lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve, por lë pasoja të thella te brezat që vijnë më pas.
“Në moshën 4-vjeçare unë isha dëshmitare e një krimi të luftës. Për 15 vjet të gjata, shëndeti im mendor dhe fizik ishte i rrezikuar rëndë. Deri dy vjet më parë, kur vendosa që nuk do ta lejoja më të më shkatërronte mua, ne, apo këdo tjetër”, rrëfeu Venesa.
Ajo theksoi se nënës së saj iu deshën plot 20 vjet për të gjetur zërin dhe guximin për të folur për atë që kishte përjetuar.
“Megjithëse unë ende po e gjej timin, do ta përdor me krenari për ata që nuk kanë zë: si aktiviste për traumën ndër breza, çështjet e shëndetit mendor dhe për t’i dhënë fund stigmës për fëmijët anembanë botës. Trauma ndërbreznore nuk më përcakton dhe nuk do të më kufizojë kurrë”, u shpreh ajo.
Në këtë forum ndërkombëtar morën pjesë edhe figura të tjera që ndanë përvoja të dhimbshme nga konfliktet e armatosura.
Një prej tyre ishte edhe një e mbijetuar nga gjenocidi në Srebrenicë, e cila tregoi historinë e saj dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive.
“Shpëtimi im është që jam gjallë, por jam nga vetë Srebrenica dhe Serbia. Ne ishim të ekspozuar çdo ditë ndaj përndjekjes, vrasjeve, dhunës së tepërt… Në vitin 1995 ndodhi gjenocidi. Atëherë isha vetëm 24 vjeç. Tani jetoj në Srebrenicë me familjen time dhe duam që kurrë më askush të mos përjetojë luftë. Duam paqe,” tha ajo.
Ajo përmendi edhe rolin e Qendrës Përkujtimore në Potoçari, e cila ka një strukturë të dedikuar për ruajtjen e kujtesës historike.
“Të gjithë – të rinjtë, brezat e ardhshëm – mund të shkojnë atje për të dëgjuar dhe mësuar se çfarë ndodhi në Srebrenicë.”