Lufta në “derë të shtëpisë”, ukrainasit “bëjnë gati valixhet” (FOTO LAJM)

Mesnatën e sotme ka nisur zyrtarisht lufta në Ukrainë, ku trupat ruse kanë hyrë në territorin ukrainas.

Ajo që paralajmërohej prej javësh nga Perëndimi ndodhi!

Duket se Putini e mori vendimin e tij dhe s’ka më kthim pas.

Në rrugët e Kievit këtë mëngjes është qetësi dhe vihet re më shumë personel ushtarak sesa mund të shihej këtu.

Një turist na tha se bujtina ku po qëndronte e kishte nxjerrë jashtë pasi sirenat e sulmit ajror dhe paralajmërimet u dëgjuan nga qeveria këtu, raporton BBC.

Nuk është i vetmi me valixhe në rrugë, disa njerëz na thanë se nuk dinin çfarë të bënin. Shumë nuk donin të ndaleshin dhe të flisnin ndërsa nxitonin përpara.

Të tjerë na thanë se kishin humbur lidhjen në celularët e tyre. Ka raportime për radhë nëpër supermarkete dhe kemi parë njerëz që tërheqin para në bankomat “për çdo rast”.

Në media qarkullojnë pamje të radhës kilometrike të automjeteve që largohen nga vendi i tyre.

Shumë njerëz në Kiev kanë nxituar në stacionet e metrosë për t’u strehuar. Të tjerë kanë hipur në autobusë për t’u larguar nga qyteti dhe ka radhë makinash që përpiqen të dalin.


Shtuar 24.02.2022 08:49