Lufta kundër ortekut të dezinformimit në Ballkanin Perëndimor

Nga Hilma Unkić

Organizata të shoqërisë civile në të gjithë rajonin po punojnë për të reduktuar ndikimin e dezinformimit, duke shtuar përpjekjet për edukimin mediatik për të gjithë publikun.

Shtetasit e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj një mase të madhe dezinformimi, dhe kjo mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qëndrimet e tyre mbi shëndetin, politikën ose sigurinë publike.

Ashtu si kudo tjetër nëpër botë, edhe qytetarët e këtyre vendeve u përballën çdo ditë me dezinformata gjatë pandemisë COVID 19.  Një mësuese të shkollës së mesme nga Mali i Zi, DijanaTiganj, e kapi ankthi pasi lexoi një artikull të bazuar mbi një fotografi ku tregoheshin trupa të pajetë që gjoja ishte marrë në një spital italian.  Më vonë doli se fotografia nuk ishte marrë në spital, madje nuk ishte marrë as gjatë pandemisë së COVID 19.  Sidoqoftë, në fillim, 27 vjeçarja Dijana mendoi se artikulli ishte i vërtetë.

“Në rastin tim, më kapi paniku nga ai artikull, dhe vura shumë kufizime mbi jetën time gjatë COVID 19.  Reduktova menjëherë të gjitha kontaktet shoqërore, u bëra maniake për spërkatje me alkool, dhe isha shumë e merakosur për personat e moshuar në shtëpinë tonë.  Dilja jashtë shtëpisë vetëm kur ishte absolutisht e nevojshme”, thotë Dijana.

Disa vite para se të vinte kjo situatë, në Serbinë fqinje, një punonjëseje sociale që kujdesej për të rinjtë, Gordana Adamov, 27 vjeçe, i lindën dyshime mbi origjinën e një fotoje që lidhte ngordhjen e shpendëve në Serbi me rrjetin 5G.  Atëherë Gordana përdori për here të parë Kërkimin së prapthi të imazheve  (reverse image search) për të gjetur burimin origjinal të fotografisë.

“Ishte hera e parë që e ndjeva të nevojshme që të gjeja burimin origjinal dhe të paralajmëroja njerëzit se po përhapnin dezinformata duke shpërndarë lajme të rreme nëpër grupe online.”

Lajmet e raportimet e rreme dhe të pasakta janë veçanërisht të rrezikshme kur nxisin më tej urrejtjen dhe mosmarrëveshjet, veçanërisht në komunitetet e ndara mbi baza etnike.  Në Kosovë, qytetarët janë ekspozuar kohët e fundit ndaj fushatave intensive dezinformuese rreth situatës së tensionuar në veri të vendit.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar disa media kosovare raportuan mbi djegien e një veture me targa serbe dhe deklaruan se policia kishte arrestuar një ish-shtetas të Kosovës në lidhje me incidentin.  Doli se informacioni ishte i pasaktë pasi Policia e Kosovës konfirmoi se pronari i veturës dhe personi i dyshuar ishin fqinjë.  Ishin që të dy shtetas të Kosovës me origjinë etnike shqiptare dhe motivi i mundshëm ishte një mosmarrëveshje personale.  Lajmin se incidenti nuk kishte të bënte fare me përkatësinë etnike, 24 vjeçarja Leonita Morina nga Prishtina, asistente projekti në një studio konsulence, e mori vesh duke marrë informacione nga burime të ndryshme.

“E kuptova se ishte dezinformim pasi disa media dhe gazetarë na paralajmëruan se po përhapeshin me shpejtësi dezinformata dhe lajme të rreme lidhur me situatën në veri të Kosovës.”

Reagimi i OSHC-ve – luftimi i dezinformimit me edukim, punë kërkimore, art dhe lojëra

Ekspertët e Hibrid.info, një platformë për verifikimin e fakteve në Kosovë, mendojnë se lufta kundër dezinformimit duhet të shoqërohet medoemos nga promovimi i edukimit mediatik dhe dixhital.  Me qëllim që të përmirësohet niveli i mendimit kritik dhe analitik të qytetarëve ata krijuan Checkos, një instrument mësimor në internet që bazohet në një sërë lojërash numerike (kuize).

Ideja është e thjeshtë – përdoruesit e Checkos duhet të lexojnë artikuj me përmbajtje problematike dhe më pas duhet të plotësojnë një pyetësor në lidhje me vërtetësinë e fakteve, besueshmërinë e burimeve dhe strukturën e artikujve.  Pas plotësimit të pyetësorit, sistemi gjeneron automatikisht rezultatet e kuizit dhe tregon nivelin e njohurive të aftësive të përdoruesve rreth edukimit mediatik.

Për momentin ky aplikacion nuk funksionon për shkak të mungesës së fondeve, por stafi i Hibrid.info shpreson ta rivërë në punë së shpejti në një version akoma më të avancuar.  Derisa të ndodhë kjo, do të vazhdojnë të botojnë artikuj për verifikimin e fakteve dhe edukimin mediatik, si dhe raporte dhe punë kërkimore mbi dezinformimin.

“Nëse publiku ka nivelin e nevojshëm të njohurive në lidhje me aksesin në informacion në hapësirën dixhitale, efekti i përmbajtjes dezinformuese do të jetë shumë më i vogël,” theksojnë ekspertët e Hibrid.info.

Një organizatë tjetër nga Kosova përdor ilustrimet dhe karikaturat për t’u përballur me problemin e dezinformimit dhe sfidave të tjera me të cilat ballafaqohet gazetaria moderne, si mungesa e pavarësisë. Në kuadër të “Përballje”, një projekt rajonal që zbatohet në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe Turqi, Kosovo 2.0 krijoi një seri ilustrimesh vizatimore humoristike që analizonin imunitetin dhe rezistencën e qytetarëve ndaj shumë aspekteve shqetësuese në median e sotme.

Foto: “Efektet anësore të lajmeve të rreme lënë pasoja goxha serioze.”  Ilustrim i krijuar në kuadër të projektit Rezistenca, bashkëpunim midis Kosovo 2.0 dhe Arif Muharremi t
Foto: “Efektet anësore të lajmeve të rreme lënë pasoja goxha serioze.”  Ilustrim i krijuar në kuadër të projektit Rezistenca, bashkëpunim midis Kosovo 2.0 dhe Arif Muharremi t

Në Shqipëri, një nga organizatat më të suksesshme të shoqërisë civile në fushën e zhvillimit të medias, Instituti Shqiptar i Medias (ISHM), po bashkëpunon me të rinjtë për të forcuar rezistencën e komuniteteve ndaj përmbajtjeve problematike në media.  Në fillim të vitit të kaluar ISHM ftoi persona të moshës 18-30 vjeç për të marrë pjesë në një konkurs për krijimin e posterave mbi edukimin mediatik dhe informativ.  U paraqitën 22 aplikime që konkurruan për të zënë tre vendet e para që fitonin edhe çmime monetare.  Posterët fitues u promovuan online dhe së shpejti do të shpërndahen në universitete në mbarë Shqipërinë.

Foto: Një nga posterët fitues thotë: Merrni kohën për të kontrolluar faktet dhe për të kërkuar burime. MOS PRANONI VERBËRISHT GJITHÇKA QË JU PARAQITET. Ju jeni përgjegjës për informacionin që konsumoni.
Foto: Një nga posterët fitues thotë: Merrni kohën për të kontrolluar faktet dhe për të kërkuar burime. MOS PRANONI VERBËRISHT GJITHÇKA QË JU PARAQITET. Ju jeni përgjegjës për informacionin që konsumoni.

ISHM ka krijuar gjithashtu edhe Blogun e studentëve dhe edukimit mediatik ku botohen materiale dhe artikuj me tema të ndryshme mediatike të krijuara nga studentë.  Disa nga postimet në blog analizojnë raportime problematike në media dhe rëndësinë e edukimit mediatik tek të rinjtë, ndërsa disa postime të tjera paraqesin këndvështrime personale rreth përvojave të studentëve mbi tendenca të ndryshme mediatike.  Në blog diskutohen edhe tema mbi narrativat e mediave në lidhje me COVID 19, frymën e mosbesimit ndaj shkencës, këshilla praktike për identifikimin e dezinformacionit, dhe të tjera.

Në Serbi,  Shkolla e gazetarisë në Novi Sad (NSSJ) vendosi të luftojë dezinformimin duke krijuar një kënd loje në ambjent të hapur për qytetarët e Novi Sadit.  U krijua një instalacion me përmasa 10m x 10m në formën e një labirinti në një zonë mjaft të frekuentuar të qytetit, për të tërhequr qytetarët që të hynin brenda dhe të testonin njohuritë e tyre rreth dezinformatave.

Muret e jashtme të instalacionit u veshën me ilustrime të artistit Oli Popins, dhe paraqisnin në mënyrë humoristike kurthe mediatike si apofenia apo perceptimi i gabuar i imazheve, pseudoshkencë, si dhe manipulime me video dhe fotografi (deepfake), ndërsa vizitorët testonin njohuritë e tyre brenda labirintit.   Loja bazohej në gjashtë kryqëzime në labirint – gjashtë pyetje të ndryshme, ku përgjigja e saktë të drejton tek kthesa drejt pyetjes tjetër, dhe përgjigja e gabuar të çon në një rrugë pa krye.  Gjatë periudhës së funksionimit, rreth 50 njerëz në ditë hynin në labirint, duke përfshirë edhe fëmijë që e shihnin si burim argëtimi.

“Shumica e vizitorëve kishin komente pozitive në lidhje me përqasjen inovative dhe paraqitjen humoristike të teknikave të ndryshme të manipulimit mediatik.  Sidoqoftë, disa nga vizitorët e labirintit hynin dhe dëmtonin instalimin, kështu që shpesh na duhej të riparonim pjesë të tij,” thotë Marina Grnja nga NSSJ.

Ideja e instalimit ishte që të përdorej një përqasje inovative dhe interaktive për ta prezantuar publikun me tema të ndryshme të manipulimit dhe dezinformimit mediatik, dhe të jepej mesazhi se “vetëm informacioni i vërtetë dhe i saktë të ndihmon që të dalësh nga qorrsokaku,” tregon Grnja.

Foto: Labirinti i Medias
Foto: Labirinti i Medias

Pasi i kushtoi shumë punë dhe energji edukimit mediatik me fëmijët dhe të rinjtë, Instituti Malazez i Medias (MMI) e kuptoi se duhet të përqendrohej më shumë tek të rriturit, që jo vetëm nuk e kanë studiuar këtë lëndë në shkolla, por nuk kanë përvetësuar as nocionin e mësimit dhe nxënies gjatë gjithë jetës, pas përfundimit të studimeve në sistemin arsimor.  Gjatë dy viteve të fundit, duke përdorur një kurrikul të hartuar nga IREX, MMI ka trajnuar qytetarë të thjeshtë që të bëhen instruktorë të edukimit mediatik dhe të organizojnë seminare në komunitete të ndryshme.  Instruktorët kalojnë nëpër një trajnim katërditor dhe më pas testohen në drejtimin e një seminari njëditor bazuar në ndërveprimin me grupin dhe ushtrimet praktike.

“Qytetarët ishin aq të interesuar për këtë program, saqë i tejkaluan të gjitha pritshmëritë tona”, thotë Dina Bajramspahiç nga MMI.  Në seminare trajtohen shumë tema të rëndësishme, por që shpesh lihen pas dore në diskursin publik malazez: standardet në media, lajmet e rreme dhe dezinformatat, aplikacionet dhe algoritmet, rrjetet sociale dhe sfidat që paraqesin për publikun.

40 instruktorë kanë organizuar seminare dhe trajnime ku kanë marrë pjesë më shumë se 600 qytetarë, një numër goxha i madh për këtë lloj aktiviteti në Malin e Zi, shpjegon Bajramspahiç.  Ajo beson se ky numër do të vijë duke u rritur sepse projekti është i vetëqëndrueshëm, mund të vazhdojë në mënyrë autonome edhe në të ardhmen.

“Në këtë pikë ku kemi arritur, tashmë kemi një grup njerëzish që janë në gjendje ta zbatojnë programin në mënyrë të pavarur nga projekti.  Kjo inkurajohet nga ana jonë, dhe nga ana e tyre ka përgjigje pozitive.”

Foto: Pjesëmarrës gjatë një seminari të organizuar nga MMI
Foto: Pjesëmarrës gjatë një seminari të organizuar nga MMI

Në Bosnjë Hercegovinë, Mediacentar Sarajevo monitoroi mënyrën se si lloje të ndryshme narrativash negative ndaj grave politikane – duke përfshirë edhe dezinformacionin – po përhapeshin në media dhe në rrjetet sociale gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2022.  Monitorimi u fokusua mbi mënyrat se si u përdor gjinia dhe rolet gjinore në fushatën zgjedhore, dhe si mund të ndikohet procesi zgjedhor nga këto narrativa negative ndaj kandidateve femra.

Ekspertët e Mediacentar shpjegojnë se rreziku i narrativave të tilla nuk qëndron vetëm tek dezinformimi dhe manipulimi i votuesve, apo tek devijimi i vëmendjes nga çështje politike serioze, por kjo çon edhe në normalizimin dhe pranimin e dhunës verbale ndaj grave në hapësira publike.

“Kjo ka pasoja tepër serioze, dëme afatgjata për pozitën e gruas në shoqëri, është një hap prapa në luftën kundër dhunës me bazë gjinore,” thotë Maida Muminoviç nga Mediacentar Sarajevo.

Së shpejti do të publikohet një raport i plotë analitik mbi narrativat e dëmshme, bazuar mbi një punë kërkime disamujore.  Ndërkohë, Mediacentar Sarajevo i ka paraqitur disa nga rezultatet kryesore të punës kërkimore nëpërmjet publikimit të infografikave në faqet e saj në rrjete sociale.

Foto: CILAT JANË DISA NGA NARRATIVAT NEGATIVE NDAJ KANDIDATEVE FEMRA?
Foto: CILAT JANË DISA NGA NARRATIVAT NEGATIVE NDAJ KANDIDATEVE FEMRA?

 

Materiale mediatike që mundohen të diskreditojnë gratë kandidate bazuar në gjininë e tyre dhe rolet gjinore të imponuara nga shoqëria.  Kjo përmbajtje shpërndahet përmes mediave me synimin për të diskredituar njohuritë, përvojën, aftësitë, besimin e publikut ndaj tyre, si dhe të drejtën e grave për t’u përfshirë në politikë.

Në Maqedoninë e Veriut, Instituti Maqedonas për Median (MIM) ndoqi shembullin e shumë organizatave anembanë Evropës dhe organizoi ekspozitën Dhoma e xhamit: Revista e keqinformimit.  Ekspozita u organizua në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian.  Dhoma e Xhamit u krijua dhe u ekspozua fillimisht nga Tactical Tech, një OJQ ndërkombëtare me qendër në Berlin.  Vizitorëve të kësaj ekpozite u ofrohet gjithashtu edhe Ndihma e Shpejtë Kundër Helmimit Dixhital  (Data Detox Kit), ku përshkruhen hapa specifikë se si mund ta përdorim teknologjinë në mënyrë të zgjuar dhe të përgjegjshme.

“Përveç ekspozitës, po organizojmë edhe disa seminarë interaktivë për të rinj dhe të rritur ku diskutohen tema që lidhen me Ndihmën e Shpejtë Kundër Helmimit Dixhital,” thotë Ivona Vasilova nga MIM.

Foto: Ekspozita Dhoma e Xhamit në Shkup, MI M
Foto: Ekspozita Dhoma e Xhamit në Shkup, MI M

Dhoma e Xhamit trajton lloje të ndryshme keqinformimi dhe i instrukton vizitorët se si të dallojnë përmbajtjen problematike në media.  Është projektuar si një instalacion edukativ, i përbërë nga një sërë posterash, aplikacione dhe animacione interaktive, dhe mund të shfaqet në hapësira publike ose private, madje mund të vizitohet edhe në internet.  Sipas faqes zyrtare të Dhomës së Xhamit, Revista e keqinformimit është përkthyer në 27 gjuhë të ndryshme.

Që nga fillimet e saj në vitin 2020, Dhoma e Xhamit: Revista e Keqinformimit është vizituar nga më shumë se 30,000 persona në të gjithë Evropën, dhe është përdorur në internet nga qindra mijëra përsona të tjerë.  Në Maqedoninë e Veriut ekspozita u hap në Shtëpinë e Evropës në Shkup (Europe House) dhe priti me qindra vizitorë.  Më pas ekspozita do të shfaqet në qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, si Kriva Palanka dhe Strumica.

Financuar nga Bashkimi Evropian

Programi rajonal ‘PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të  luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi’ zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i MediasMediacentar Sarajevo,  Kosovo 2.0Instituti Malazez i MediasInstituti Maqedonas për MedianShkolla e gazetarisë në Novi SadInstituti i Paqes  dhe  Bianet.

Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.  Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e SEENPM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.


Shtuar 17.03.2023 09:53