Lufta, FMN: Ekonomia ukrainase pritet të tkurret me 10 për qind këtë vit

Ekonomia ukrainase pritet të tkurret me 10 për qind këtë vit, si rezultat i pushtimit rus, mirëpo situata mund të përkeqësohet shpejt nëse konflikti vazhdon, ka thënë të hënën Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Raporti, i cili është përgatitur para ndarjes së 1.4 miliard dollarëve si financim urgjent i FMN-së për Ukrainën, paralajmëron se ekonomia e shtetit mund të tkurret për 25 deri në 35 për qind, bazuar në të dhënat e bruto-prodhimit të brendshëm nga Iraku, Libani dhe shtetet tjera në luftë.

Ivanna Vladkova Hollar, shefe e FMN-së për Ukrainën, ka thënë se autoritetet ukrainase janë duke bërë “përpjekje të jashtëzakonshme” për qarkullim të ekonomisë dhe sistemeve financiare gjatë kohës së luftës.

Të hënën, 14 mars, Banka Botërore ka njoftuar se do të ndajë 200 milionë dollarë fonde shtesë për të forcuar shërbimet për personat e cenueshëm në Ukrainë – përveç 723 milionë dollarëve që ka ndarë javën e kaluar.

Ky njoftim vjen në kuadër të një pakete të ndihmës në vlerë të 3 miliardë dollarëve që Banka Botërore ka njoftuar se po përgatit për Ukrainën në muajt në vijim. /REL/


Shtuar 14.03.2022 23:11