Lufta e Tretë Botërore do të zhvillohet përmes viruseve

Nga Richard A.Muller “Wall Street Journal”

Përktheu Alket Goce- AlbEu

Humbjet ushtarake të Vladimir Putinit në Ukrainë dhe rebelimi i Grupit Wagner, kanë shtuar shanset që presidenti rus të sulmojë dhe ta zgjerojë më tej konfliktin 17-mujor. Por Lufta e Tretë Botërore mund të mos jetë ajo që prisni.

Paradigma aktuale e përshkallëzimit të konfliktit bërthamor u artikulua 60 vjet më parë nga fizikani Herman Kahn, themeluesi i Institutit Hadson. Por që nga ajo kohë janë zhvilluar shumë edhe  teknologjitë e tjera. Armët konvencionale, bombat, raketat ose trupat mund të mos figurojnë fare në Luftën e Tretë Botërore.

Arma e zgjedhur ka të ngjarë të jenë viruset biologjike dhe ato kompjuterike. Covid-19 nuk ishte një sulm i qëllimshëm, por ai e dëmtoi shpejt dhe me sukses ekonominë amerikane. Çdo komb që mendon të përdorë një virus vdekjeprurës si një armë lufte, duhet së pari të imunizojë njerëzit e tij, ndoshta edhe nën maskën e një vaksinimi kundër gripit të zakonshëm.

Imuniteti afatgjatë i nivelit të popullatës, do të kërkonte që virusi të optimizohej mjaftueshëm, përpara lëshimit, për të zvogëluar probabilitetin e mutacioneve të mëtejshme. Koronavirusi i ri ishte optimizuar mjaftueshëm që të mos kishte mutacione serioze për 9 muaj. Varianti Delta u shfaq në Indi në tetor 2020. Një virus i përdorur si armë duhet gjithashtu të inkorporojë një gjen për shtypjen e imunitetit – Covid kishte ORF8 – që redukton simptomat e hershme, duke lehtësuar përhapjen nga transportuesit asimptomatikë.

Që të jetë i suksesshëm një sulm i fshehtë, virusi duhet të lëshohej jo në vendin e origjinës, por në vendin e synuar, ndoshta pranë një laboratori biologjik, në mënyrë që bota të arrijë gabimisht në përfundimin se epidemia apo pandemia ishte pasojë e një rrjedhje nga një program vendas i fshehtë.

Kujtojmë këtu se paniku i hershëm përballë Covid-it, buroi nga paaftësia e Italisë për t’u kujdesur për të gjithë pacientët e saj të infektuar. Kështu, për të shkaktuar një përçarje maksimale të shoqërisë së vendit armik, shtysa e dytë e çdo agresioni mund të jetë një sulm kibernetik ndaj spitaleve, ndoshta i maskuar si një sulm piraterie ransomëare, pra që kërkon në këmbim pagimin e një gjobe të majme.

Sërish ky lloj mashtrimi do ta bënte të dukej sulmin sikur e ka origjinën jashtë vendit që është realist agresor. Në kontekste të tjera ky quhet një operacion “i flamurit të rremë”. Vendi i synuar mund të mos e njohë as atë si pjesë të një sulmi sinergjik me dy fronte të viruseve biologjike dhe kompjuterike.

Sulmi kibernetik ransomëare, mund të synojë njëkohësisht rrjetet e energjisë, termocentralet, fabrikat, rafineritë, trenat, linjat ajrore, transportin detar, bankat, rrjetet e furnizimet me ujë, impiantet e trajtimit të ujërave të zeza etj. Por spitalet do të ishin objektivat më të spikatura. Shmangia e objektivave ushtarake, do të forconte iluzionin se nuk ka filluar ende Lufta e Tretë Botërore. Sulmuesi ose sulmuesit mund të pretendojnë në mënyrë të rreme se sistemet e tyre janë gjithashtu nën rrethim. Drejtimi i gabuar i vëmendjes, mund të jetë më efektiv sesa një sulm i rremë

Ky nuk është një skenar i largët i katastrofave të përgatitura nga skenaristët e Hollivudit. Në njëfarë kuptimi,viruset biologjike dhe kibernetike janë testuar në terren. Vlera e madhe për autorin e një sulmi biologjik dhe kibernetik me dy drejtime, është mundësia e arritjes së qëllimeve shkatërruese duke e mbajtur të fshehtë të gjithë operacionin.

Parandalimi i një sulmi të tillë, do të kërkojë një premtim të qartë, të besueshëm dhe të artikuluar për t’iu përgjigjur agresionit. Ai nuk mund të jetë i fshehtë. Nëse Kina, Rusia,

apo të dyja bashkë do ta sulmonin SHBA-në në këtë mënyrë, si do të reagonim ne?

Politikë-bërësit duhet të dalin me një përgjigje. Një embargo ekonomike duket jo optimale. Shumë njerëz do ta interpretonin hakmarrjen bërthamore si jo proporcionale. Nga ana tjetër, zhvillimi i një virusi hakmarrës do të kërkonte kohë, dhe përgjigjja në këtë formë do të shkelte qartë Konventën e Armëve Biologjike.

Ndërkohë ka shumë rëndësi edhe mbrojtja. Është thelbësore që të jemi në gjendje të zhvillojmë me shpejtësi vaksina. Spitalet dhe infrastruktura tjetër jetike, duhet të forcojnë mbrojtjen e tyre kibernetike. Nëse dështon parandalimi dhe ndodh një sulm, atëherë prioriteti i parë duhet të jetë identifikimi i saktë i autorit.

Kjo gjë mund të jetë ose jo e lehtë, por hakmarrja ndaj aktorit të gabuar rrezikon që ta përkeqësojë një situatë tashmë të keqe. Rihapja e hetimit mbi origjinën e Covid-19, do të ofronte një praktikë të mirë. Sekuestrimi i aseteve të huaja të kombit sulmues, mund të jetë

një veprim i efektshëm.

Por ashtu është thelbësore një aftësi e fortë për sulme kibernetike, të cilat shënjestrojnë ushtrinë dhe industrinë e vendit armikut. Spitalet duhet të shmangen, në mënyrë që viktima

e një sulmi të mos duket se po bëhet agresore dhe të humbasë pozicionin e lart moral.

Ekzistojnë shumë arsye pse një kundërshtar mund të dëshirojë të nisë një sulm të fshehtë ndaj ekonomisë amerikane. Udhëheqësit e Amerikës duhet ta marrin seriozisht perspektivën që vendi i tyre të mposhtet pa u pushtuar apo edhe duke e ditur se gjendet nën sulm.

Mënyra më e mirë për të penguar një sulm të tillë, është të bindësh aktorët potencialisht armiqësorë se suksesi është i pamundur, dhe se pasojat për sulmuesin do të jenë të shpejta dhe të rënda. SHBA-ja duhet ta bëjë të qartë se angazhimet e saj ndaj aleatëve të NATO, Ukrainës, Tajvanit dhe të tjerëve nuk do të lëkunden, edhe nëse kjo gjë ndodh me ekonominë amerikane.

Shënim: Richard Muller ka qenë këshilltar i Sigurisë Kombëtare Jason për 34 vite. Aktualisht është profesor i fizikës në Universitetin e Kalifornisë, SHBA.

 


Shtuar 8.07.2023 12:23