Lojërat Olimpike “Paris 2024”, Rama: Krenar për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike në Paris, Francë. Rama në videon e publikuar në rrjetet sociale pasqyron momente nga parakalimi në varkë të skuadrës olimpike shqiptare.

“Krenar për Shqipërinë”, shkruan Rama në rrjetet sociale. Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së olimpiadës, ku sipas organizatorëve, ishin të pranishëm mbi 80 udhëheqës shtetërorë dhe më shumë se 300.000 spektatorë.

Kreu i qeverisë shqiptare ndodhet prej ditës së djeshme në Paris, Francë. Rama më herët u prit nga Presidenti i Francës, Emanuel Macron, në pritjen e organizuar, për liderët e shteteve pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike.

Edicioni i 33-të i Lojërave Olimpike nisi sot në Paris. Ekipi kuqezi pjesëmarrës në olimpiadë, përbëhet nga tetë sportistë, katër nga të cilët e kanë siguruar kualifikimin me normë në bazë të perfomancës sportive dhe katër të tjerë janë me ftesë.

Atletja Luiza Gega si dhe tre mundësit Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev e Chermen Valiev janë sportistët e Shqipërisë që shkojnë “Paris 2024” si të kualifikuar me normë. Ekipi shqiptar ka përfituar edhe katër ftesa për “Paris 2024”. Kështu me ftesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të konkurrojë Franko Burraj në atletikë, Greisi Koxhaku dhe Kaltra Meça në not, si dhe Manjola Konini në qitje sportive.


Shtuar 26.07.2024 21:37