Nga Martin Wolf “Financial Times”
Boris Johnson i fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, me premtimin se do ta çonte deri në fund Brexit-in. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Në vend se të stabilizohen, marrëdhëniet BE-Britani pas divorcit po përkeqësohen. Dhe kjo gjë nuk është për t’u habitur, pasi ato janë më të tensionuara atje ku përgjegjësitë mbeten të përbashkëta.
Peshkimi është një nga pikat ku ka jo pak mosmarrëveshje. Por më e rrezikshmja deri tani është çështja e Irlandës së Veriut. Në tetorin e vitit 2019, Johnson deklaroi se kishte arritur një “marrëveshje të re të madhe” me Brukselin. Tani ai do të donte që ta griste atë marrëveshje.
Mjerisht kjo është tipike e këtij politikani. Por nga ana tjetër, kjo është një lëvizje e rrezikshme jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe për BE-në dhe gjithë Perëndimin. Në një farë kuptimi, Brexit nuk mund të jetë “arritur” ende deri më sot.
Fundi i një martese, i transformon zakonisht perspektivat e partnerëve në të ardhmen. Me gjërat e tjera të barabarta, partneri më i varur ekonomikisht, do të vuajë më shumë se tjetri. Në raportin “Perspektiva Ekonomike dhe Fiskale” të publikuar muajin e kaluar, Zyra për Përgjegjësinë Buxhetore (OBR) arriti në përfundimin se “që nga . . . nëntori i vitit 2016, parashikimet tona kanë supozuar se totali i importeve dhe eksporteve në Mbretërinë e Bashkuar, do të jetë 15 për qind më i ulët se sa po të kishim qëndruar në Bashkimin Evropian.
Ky reduktim i intensitetit të tregtisë, nxit rënien me 4 për qind të produktivitetit të mundshëm afatgjatë, që ne supozojmë se do të ndodhë për shkak të largimit tonë nga BE-ja. Sa për të bërë një krahasim, ky dëm është dyfishi i kostove të vlerësuara afatgjatë nga pandemia e Covid-19, dhe sipas kursit aktual është në vlerën 80 miliardë paund”.
Deri më tani, rezultatet janë afër parashikimeve të mëparshme. Tregtia e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në, po zvogëlohet ndjeshëm në krahasim me atë që do të kishte ndodhur në rrethana të tjera. Dhe kjo rënie nuk do të kompensohet me volume të reja tregtare. Brexit do të imponojë disa kosto afatgjata.
Megjithatë gjërat mund të shkojnë edhe më keq sesa kaq. Le të supozojmë për një moment sikur tregtarët dhe investitorët, të huaj dhe ata vendas, mbërrijnë në përfundimin se nuk mund të mbështeten më tek kuadri i negociuar për marrëdhëniet midis Britanisë dhe partnerëve të saj më të rëndësishëm ekonomikë.
Ose supozoni një skenar edhe më të keq, sipas të cilit besueshmëria e qeverisë britanike si një partnere tregtare kompromentohet. Atëherë humbjet për Britaninë e Madhe mund t’i tejkalojnë ndjeshëm ato të treguara nga OBR. Po ashtu ato do të shkonin përtej kostove thjesht ekonomike.
Po sa realiste janë frikëra të tilla? Gjatë në një interviste dhënë gjatë fundjavës që shkoi, Ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney, sugjeroi se BE-ja mund ta refuzojë marrëveshjen e saj tregtare pas Brexit, në rast se qeveria britanike do të vinte në zbatim kërcënimin e saj për të pezulluar pjesë të marrëveshjes për Irlandën e Veriut.
Ai paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar po ushtron presion për arritjen e një marrëveshje, të cilën e di se nuk mund ta arrijë dot. Në fakt Mbretëria e Bashkuar po bën presion për disa ndryshime rrënjësore të marrëveshjes.
Gjatë një fjalimi me tone të ashpra në tetor, mbështetësi më i fortë i Johnson, Lordi David Frost, tha:“Fakti që BE-ja thotë tani se protokolli – i hartuar me një nxitim ekstrem dhe në një kohë pasigurie të madhe – nuk mund të përmirësohet më, edhe pse po shkakton probleme kaq serioze, është një gjykim i gabuar me përmasa historike”.
E tija është gjuha e refuzimit. Veçanërisht mbresëlënëse është deklarata se ky protokoll – nënshkruar me vetëdije nga vetë Johnson dy vjet më parë – ishte disi “i pasigurt” dhe i hartuar me një “ngutje ekstreme”. Në fakt, pasojat e tij ishin mjaft të parashikueshme.
Kjo është arsyeja pse Theresa May, paraardhësja e Johnson, e hodhi poshtë idenë e ndarjes së Irlandës së Veriut nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar. Nëse Johnson nuk e kuptonte se çfarë ishte duke firmosur, atëherë ai ka qenë tërësisht i paaftë. Nëse firmosi, duke mos pasur ndërmend që ta respektonte marrëveshjen që nënshkroi, atëherë është treguar i pandershëm.
Kjo nuk do të thotë se zbatimi i këtij protokolli nuk mund të përmirësohet. Komisioni Evropian ka bërë propozime të rëndësishme për këtë çështje. Por këmbëngulja e Mbretërisë së Bashkuar për të qenë në gjendje të devijojë nga standardet e BE-së mbi ushqimet, ishte e sigurt që do të krijonte probleme në tregtinë e saj me Irlandën e Veriut.
Tani duke synuar arritjen e një ndryshimi rrënjësor në marrëveshjen që nënshkroi dikur me vetëdije të plotë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po propozon të marrë masa “mbrojtëse”. Masa të tilla lejohen sipas nenit 16 të protokollit.
Por masa të tilla, do të kufizohen në lidhje me shtrirjen dhe kohëzgjatjen e tyre, në atë që është rreptësisht e nevojshme për të korrigjuar situatën. Dëshira e Mbretërisë së Bashkuar për të hequr rolin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në zgjidhjen e ligjit të BE-së që rregullon tregun e përbashkët, është larg nga të qenit “shumë e nevojshme”.
Për më tepër, në kundërpërgjigje të një veprimi të tillë nga Britania e Madhe, BE-ja do të kishte të drejtë të merrte masat e veta ri-balancuese. Se ku do të përfundonte një cikël i tillë hakmarrjeje midis këtyre fqinjëve, askush nuk e di.
Pikëpamja optimiste është se kjo lojë do të përfundojë, ashtu si ka ndodhur më parë, me një marrëveshje të rregulluar:BE-ja do të lëshojë paksa, dhe Britania e Madhe do të dështojë të arrijë gjithçka që dëshiron. Megjithatë deri sa të mbërrihet atje, ka jo pak vështirësi të dukshme.
E para është se përpjekjet e pafundme për të ri-negociuar pjesën më të diskutueshme të marrëveshjes së daljes nga unioni, i kanë përkeqësuar marrëdhëniet, dhe ç’është më e keqja do të vazhdojnë që ta bëjnë këtë. Tek e fundit Irlanda, Irlanda e Veriut, BE dhe Britania nuk do t’i japin fund shpejt përplasjeve mes tyre.
E dyta është se një përplasje e tillë, minon fatalisht besimin tek angazhimet e saj që i duhet çdo qeverie. Mbretëria e Bashkuar nuk mund të shpresojë më që të shpëtojë nga reputacioni i një “Albioni tinëzar”. E fundit, është se loja aktuale mund të përfundojë në një përplasje të llojit të sugjeruar nga Coveney.
Ndoshta kjo gjë nuk do të ndodhë këtë herë. Por gjithnjë e më shumë duket sikur qeveria britanike do të vazhdojë me këtë derisa BE-ja të lëshojë plotësisht ose të ndodhë rënia.
Në planin afatgjatë, kjo e fundit duket shumë më e mundshme.
Pra, çfarë ndodh nëse dështon zbatimi i pjesëve më thelbësore të marrëveshjeve midis Britanisë dhe BE-së? Sigurisht, efektet ekonomike do të ishin më të dëmshmet. Por shumë më e keqe do të ishte prishja e besimit midis demokracive kryesore dhe fqinjëve të përjetshëm, pikërisht në një periudhë sfidash të mëdha për vende të tilla. Këto janë rreziqe që asnjë njeri i arsyeshëm nuk do të guxonte t’i ndërmerrte. Kjo “lojë” e rrezikshme duhet të ndalet. Ne duhet të ecim përpara./abcnews.al