Në 31 vite tranzicion Shqipëria është mbështetur pa ndalur nga shtete e Bashkuara të Amerikës. Mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit James Baker në qershorin e vitit 1991 është një ndër momentet e para dhe pikante kur të rikthimit në Shqipëri të mbështetjes amerikane, pas rënies së diktaturës komuniste. Porositë e Sekretarit Amerikan të Shtetit në parlamentin e parë pluralist, ishin gjithçka duhej të bënte politika shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një vend demokratik. Por çfarë ndodhi në tri dekada është thuajse e kundërta. Si përfundoi Shqipëria një ndër vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit dhe pranisë së elementeve të krimit në politikë, një vend ku lista e personazheve publike të shpallur nongrata në SHBA është shqetësuese.
Ky qëndrim i SHBA-së në vazhdën e ndihmës dhe mbështetjes ndaj Shqipërisë, vjen si një hap për një pastrim të politikës shqiptare nga krimi dhe korrupsioni. Është një hap që politika, institucionet e drejtësisë dhe shoqëria shqiptare nuk e bënë dot.
“Vetting” ka mbledhur momente pikante të tranzicionit që çuan në këtë lëvizje të rëndësishme të SHBA-ve, mbështetur në raportet ndërkombëtare për krimin dhe korrupsionin në Shqipëri. “Vetting” gjithashtu ka pyetur dhe ka marrë përgjigje nga Departamenti Amerikan i Shtetit për emrat e rinj në listën nongrata, që pritet të renditen në këtë listë. Ka pyetur ekspertë të cilët flasin për shanset e humbura të politikës dhe shoqërisë shqiptare. Për të kuptuar se si përfundoi Shqipëria në një prej vendeve më të korruptuara bazuar mbi raportet ndërkombëtare dhe pse institucionet dhe shoqëria shqiptare kanë qenë deri tani të pafuqishme për tu vetpastruar nga fenomeni i krimit dhe korrupsionit.
Por si u përvetësuan këshillat amerikane nga elita shqiptare në 31 vite tranzicion. Vetting ka mbledhur momente pikante të raporteve ndërkombëtare .
Më 22 qershor 1991, grija e sheshit Skënderbe në Tiranë u mbulua me ngjyrat e flamurit amerikan. Me mijëra qytetarë shqiptarë dolën në shesh për të pritur sekretarin amerikan të shtetit, Xhejms Bejker. Ishte një ndër ngjarjet më të rëndësishme në Shqipërinë e muajve të parë pas shpalljes së pluralizmit politik.
Zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, erdhi në Tiranë për të mbështetur popullin shqiptar në rrugën drejt lirisë së munguar për 45 vite diktaturë komuniste. Sekretari Amerikan i shtetit do t’i drejtohej parlamentit për të dhënë mesazhin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për elitën e re politike që do të drejtonte Shqipërinë në tranzicion.
“Unë kam një mesazh të thjeshtë për anëtarët e këtij Kuvendi sot dhe për çdo qytetar të këtij vendi, që tani po ballafaqohet me sfidën e vështirë të rindërtimit kombëtar. Ky mesazh është se në rrugën e lirisë ne gjithmonë duhet të shkojmë përpara.
Në këtë Parlament, në këtë kryeqytet dhe anembanë këtij vendi mund të shkohet përpara vetëm drejt vendosjes së demokracisë së vërtetë, të një ekonomie tregu të lirë dhe të shtetit juridik. Pas kaq shumë vitesh Shqipëria nuk mund të vonohet më.”
Mesazhi i zyrtarit të lartë amerikan përmban thelbin e reformave që pritej të kryheshin në Shqipëri nga elita që SHBA-të po mbështesnin kaq fort në ato fillime të tranzicionit.
“Në këtë Parlament e në këtë kryeqytet ju do të përpiloni një Kushtetutë të re, që do të jetë një pjesë shumë me rëndësi për ringjalljen, për krijimin e një Shqipërie të re.
Duke folur si avokat, unë mund t’ju them se është me rëndësi jo vetëm përmbajtja e ligjit, por edhe fryma e një ligji të tillë, si dhe zbatimi, që do ta bëjnë shumë të rëndësishëm suksesin e një demokracie të vërtetë, e cila duhet t’u përmbahet ligjeve të drejta dhe të bazohet në drejtues të drejtë.”
Rruga e vështirë drejt lirisë theksohet vazhdimisht në fjalimin e sekretarit amerikan të shtetit.
“Një pjesë e rëndësishme e punës së domosdoshme për të rindërtuar demokracinë duhet të zhvillohet në këtë Parlament, në përgatitjen e ligjeve të domosdoshme për krijimin e një ekonomie të tregut, për një sistem kushtetues qeverisjeje dhe për sigurimin e demokracisë e të lirisë ekonomike. Këtu në Parlament ju do të ballafaqoheni me atë që Presidenti Bush e ka cilësuar si puna e vështirë e lirisë”.
Shqipëria e 31 viteve pas këtij fjalimi, na tregon se rruga e lirisë paska qenë shumë më e vështirë se sa parashikohej atëherë. Në udhëtimin dinamik të kësaj elite në tri dekada, e gjen radhë ose aspak konceptin e lirisë dhe demokracisë e për pasojë po aq radhe ose aspak konceptin e shtetit ligjor siç porosiste SHBA, shqiptarët e viteve 90.
Autoritarizmi, krimi, korrupsioni, vjedhja e shit-blerja e votë u kthyen në model për qeverisjen shqiptare në 30 vjet.
Pas çdo procesi zgjedhor në Shqipëri vijnë raporte që flasin për zgjedhje jo të lira e jo të ndershme. Më mijëra janë faqet e raporteve të departamentit amerikan të shtetit, Bashkimit evropian e organizatave të tjera ndërkombëtare, për korrupsionin në Shqipëri.
Raporti i fundit i Departamenti Amerikan për Shqipërinë, i publikuar më 12 prill, përmban kritikat më të ashpra që i janë drejtuar qeverive shqiptare 10 vitet e fundit. Raporti përmban kritika të forta drejtuar lidhur me korrupsionin në nivele të larta të qeverisjes, me pandëshkueshmërinë dhe politizimin e gjykatave, me cënimin e lirisë së medias dhe shumë problematika të tjera. Raporti vëren se:
“Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar.
Prokurorët bënë përparim të rëndësishëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit publik të nivelit të ulët dhe të mesëm, shkalla e ndjekjes penale për zyrtarët e rangut të lartë mbeti e ulët”, thuhet në raport.
Kritikat shumë të ashpra të renditura në këtë raport, rrëzojnë të gjithë retorikën apo propagandanë e qeverisë për sukseset në drejtimin e vendit.”
Ky raport vjen në vazhdën e dhjetëra materialeve të tjera të cilat reflektojnë nivelin e lartë të korrupsionit, deri në përcaktimin e tij në elementet e kapjes së shtetit, ashtu siç citon raporti I transparencë international për hulumtimin e qeverisjes në 20 vitet e fundit.
30 vjet qeverisje me korrupsion e pandëshkueshmëri, e çoi Shqipërinë në një situatë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndërmarrin masa drastike për pjesëtarë të elitës shqiptare. Në vitin 2018 SHBA shpalli nongrata ish-prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla duke nisur kështu listën e shqiptarëve të padëshiruar në Amerikë, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion. Janë deri tani gjashte personazhe të rëndësishme të politikës dhe biznesit si ish-kryeministri Berisha, më pas ish-deputetë si Tomë Doshi apo Aqif Rakipi.. ish-kryebashkiakë si Vangjush Dako, ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llala apo biznesmen e drejtues mediash si Ylli Ndroqi…dhe lista pritet të shtohet. Emisioni Vetting ka komunikuar me zëdhënësin për Evropën dhe Euroazinë në Departamentin Amerikan të shtetit, Ryan Walsh, lidhur me persona të tjerë të elitës shqiptare që mund të bëhen pjesë e listës nongrata sqaron:
“Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të përdorë këtë autoritet dhe të gjitha mjetet e disponueshme për të luftuar korrupsionin në nivel global. Në varësi të rrethanave të veçanta, disa emërtime bëhen publikisht ndërsa të tjerët privatisht”
Aqif Rakipi, ish-deputet dhe Ylli Ndroqi biznesmen dhe drejtues medie, janë emrat e rinj në listën e zezë të SHBA-së. Ambasada Amerikane në Tiranë publikoi të hënën që shkoi me 11 prill listën e zyrës së Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), e cila përcaktoi shtatë individë dhe një ent në katër vende të Ballkanit Perëndimor, bazuar në Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033. Në deklaratën zyrtare theksohet se ky është vendimi i dytë që OFAC ka ndërmarrë bazuar në E.O. 14033 dhe që shenjestron persona të cilët kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese. Në Shqipëri, kësaj here janë shënjestruar ish-deputeti Aqif Rakipi dhe biznesmeni Ylli Ndroqi.
Aqif Rakipi (Rakipi) është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë. Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale nën një pseudonim. Ai përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.
Menjëherë pas deklaratës së SHBA-së, reagoi për mediat i biri i Aqif Rakipit. Ai tha se beson në pafajësinë e të atit.
Orlando Rakipi është deputet i Partisë Socialiste. Ai ishte në fundin e listës së kësaj partie, në garën për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Por ndodhi çudia dhe Orlando Rakipi e fitoi mandatin e deputetit duke mbledhur më shumë vota se secili prej shumicës së kandidatëve për deputet të PS-së. Orlando Rakipi nuk kishte asnjë kontribut në Partinë Socialiste, ai nuk njihej si personazh publik përveçse si i biri o Aqif Rakipit. E megjithatë ai ia doli të lërë jashtë parlamentit, socialistë si Pandeli Majko. Për të rregulluar këtë defekt madhor të sistemit politik shqiptar, departamenti Amerikan i Shtetit po përdor listën non – grata.
Në përgjigje të interesit të emisionit Vetting, zëdhënësi i Departamentit Wallsh, sqaron se edhe familjarët e personave non grata kanë të njëjtat sanksione.
“Ne ju referojmë në Departamentin e Thesarit të SHBA-së për të gjitha pyetjet në lidhje me veprimet e OFAC (per vendimet e fundit). Individët e caktuar sipas seksionit 7031 (c) të Aktit të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Ndarjeve Programore të Lidhura parashikojnë që zyrtarët e qeverive të huaja për të cilët Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion të rëndësishëm, ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, janë të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara.
Mospërshtatshmëria vlen edhe për anëtarët e ngushtë të familjes, dhe ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit t’i caktojë publikisht ose privatisht këta zyrtarë dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë. Emërtimet nuk janë të kufizuara në kohë. Si një çështje e përgjithshme, kur një individ është percaktuar sipas Seksionit 7031 (c), ai individ nuk do të jetë i përshtatshëm për një vizë për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara për një kohë të pacaktuar. Megjithatë, seksioni 7031 (c) përmban dispozita të përjashtimit dhe të heqjes dorë që mund të lejojnë një individ të udhëtojë në rrethana të caktuara.
Emri tjetër në listën e zezë të SHBA-ve është Ylli Ndroqi. Departamenti I thesarit amerikan evidenton se veç të tjerash, Ndroqi ka përdorur median e tij për korrupsion.
Ylli Ndroqi (Ndroqi) është një pronar mediash, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale. Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qenë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media. Gjithashtu, Ndroqi ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri. Ndroqi përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.
I pari në listën non grata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u listua ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik llalla. Ai u shpall non-grata në 14 shkurt të vitit 2018-të. Pak muaj më vonë më 16 Prill 2018, SHBA shpallën non-grata ish-deputetin socialist Tom Doshi. Më 30 Korrik 2019 SHBA e shtoi listën non-grata me ish-kryetarin socialist të bashkisë Durrës, Vangjush Dako.
Më 26 maj 2021 Shtete e Bashkuara të Amerikës shpallën non-grata ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berishën, njëherësh ish-president në vitet 1992-1997. Por si përfundon një zyrtar a biznesmen në listën nongrata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Cilat janë procedurat që e vlerësojnë një individ të padëshiruar në SHBA?
“Kur Sekretari i Shtetit merr informacion të besueshëm se një zyrtar aktual ose ish-zyrtar i qeverisë së huaj ka qenë i përfshirë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në korrupsion të konsiderueshëm ose shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, Sekretarit i kërkohet të caktojë ose identifikojë atë zyrtar dhe familjen e tij/saj të afert sipas nenit 7031 (c), publikisht ose privatisht.”
Ka persona në listën nongrata që besojnë se nuk ka arsye që të përfshihen në këtë, listë dhe shpresojnë që një ditë të dalin nga ajo listë. Por sa janë mundësitë që të ndodhë kjo, si në rastin e ish-kryeministri Berisha që ka nisur një proces gjyqësor në Francë ashtu edhe Ylli Ndroqi që beson do të rikuperojë emrin e tij për tu larguar nga kjo listë.
Një vend i vogël si Shqipëria, që ka gëzuar mbështetje të padiskutueshme nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, është sot një ndër vendet e Ballkanit ku lista e personave “Non Grata” është domethënëse.
Para se të niste historia nongrata në Shqipëri, elitat qeverisëse patën mundësi të luftojnë korrupsionin, të kryenin zgjedhje të lira dhe të bënin gjithçka duhej për të ndërtuar një shtet ligjor. Historian a dëshmon se kjo rrugë nuk ishte dhe nuk është e dëshiruara për shumë prej anëtarëve të elitës politike në Shqipëri.
Ndaj dhe lista non grata vjen si një rrugë e detyruar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në objektivin e rëndësishëm për të garantuar paqe, stabilitet e prosperitet në Rajonin e Ballkanit ku përfshihet Shqipëria. Është beteja e pakryer e elitës politike së tranzicionit, për vetpastrim si domosdoshmëri për të ecur përpara në rrugën e vështirë drejt lirisë e demokracisë. Është një proces që mesa duket do ta realizojë SHBA për shqiptarët. /abcnews.al/