Gjykata e Apelit ka refuzuar ekstradimin e ish luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, duke çuar kështu në lirimin e tij nga qelia.
Kujtojmë se policia shqiptare arrestoi në fund të korrikut në Tiranë ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj me një urdhër arresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që trajtojnë krimet e pretenduara të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
Goxhaj akuzohet për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.
Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Ai iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë dhe ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999.
Njoftimi i Gjykatës:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit ndaj shtetasit me iniciale D.G, nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, ka vendosur:
– Pranimin e kërkesës .
– Lejimin e ekstradimit të shtetasit shqiptar D.G nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga shtetasi me iniciale D.G, i cili kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë, deklarimin e pafajshëm dhe moslejimin e ekstradimit nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).
Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 10.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:
–Ndryshimin e vendimit Nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
– Rrezimin e kerkeses per ekstradimin e shtetasit D.G nga Republika e Shqiperise ne Republiken e Kosoves.
– Heqjen e mases se sigurimit “arrest ne burg “, per shtetasin D.G, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, date 20.07.2023 te Gjykates se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Pergjithshem Tirane.
-Urdherohet lirirmi i shtetasit Dritan Goxhaj, nese nuk mbahet per ndonje veper tjeter penale .