Lirimi i Hekuran Billës, kërkohet shkarkimi i prokurorit që bashkëpunoi me Enkeleda Hoxhën

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka kërkuar ditën e sotme nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shkarkimin nga detyra të prokurorit të Krujës, Bujar Memia, pasi hetimit të provave në lidhje me lirimin e Hekuran Billës. Bëhet me dije se sipas ILD, prokurori Memia nuk ka bërë ankimin për lirimin e tij.

“Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor rezulton se nga ana e magjistratit Bujar Memia janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjnë me mospërmbushjen e pajustifikuar të funksioneve gjatë dhe pas gjykimit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin, si dhe mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal, akte të konstatuara në 4 procese gjyqësore”.

Sipas ILD, në njoftim thuhet se ushtrimi i pa rregullt i detyrës nga ana e prokurorit Memia ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, cenimin  e prestigjit jo vetëm të gjykatës dhe humbjen e besimit ndaj tij, por dhe të prokurorisë,duke cenuar besimin e publikut tek drejtësia. Gjithashtu një veprim i tillë nga ana e prokurorit ka bërë që nga ana e qytetarëve të bëhet vetëgjyqësi

“Zhvillimi i procedurave me objekt “Lirim me kusht” nga ana e gjykatës si dhe mungesa e ankimimeve të këtyre vendimeve është shoqëruar me një pasqyrim të gjerë mediatik, duke risjellë veprat penale të personazheve në fjalë. Mediat përmes raportimeve, analizave apo emisioneve të posacme kanë ndjekur me vëmendje ecurinë e veprimeve me lirimet e tyre.  Rrjedhimisht, sjellja konkrete jo vetëm e gjykatës, por dhe pasiviteti dhe mosveprimi i prokurorit për të kontrolluar ligjshmërinë e kësaj vendimmarrje ndikoi në uljen e besimit publik tek sistemi gjyqësor, dhe nxiti hakmarrjen ndaj të dënuarit. Është fakt i njohur tashmë, ekzekutimi i të dënuarit H.B më datë 11.06.2020″- shpjegon ILD.


Shtuar 16.03.2021 12:02