Linja ajrore komerciale ruse Volga-Dniepr, e cila është më e madhja në Rusi, po shkurton pothuajse të gjithë pilotët (më shumë se 200) të punësuar në avionët e tipit Boeing në kompanitë AirBridgeCargo dhe Atran, shkruan gazeta RBK duke cituar dy burime të afërta me kompaninë.
Pilotët janë shkurtuar nga puna në fund të korrikut.
Dje, Reuters, duke cituar katër burime në industrinë e aviacionit, raportoi se linja ajrore ruse Aeroflot dhe linjat e tjera ajrore ruse kanë filluar çmontimin e disa avionëve për të marrë pjesë rezervë, sepse ata nuk janë në gjendje t’i blejnë ato jashtë vendit për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të saj në Ukrainë.
Veprimet e këtyre kompanive bazohen në rekomandimet e dhëna nga qeveria ruse për linjat ajrore në qershor. Në këtë mënyrë, avionët e prodhimit të huaj do të mund të fluturojnë të paktën deri në vitin 2025./albeu.com