Lihet në burg Evis Berberi, avokati: S’i ka dhënë askujt tenderë në mënyrë të padrejtë! Asnjë lidhje me kompaninë ‘DAAM’, e ka shitur

Kreu i ARRSH, Evis Berberi dhe dy biznesmenët e lidhur me të, Valter Begaj, dhe Ervis Lami do të qëndrojnë në burg. Në Gjykatën e Posaçme u mbajt sot seanca për masën e sigurisë, ndërsa mësohet se Berberi dhe dy ortakët e tij kanë mohuar kauzat që SPAK ka ngritur ndaj tyre për korrupsion dhe pastrim parash.

Në një seancë që zgjati rreth 3 orë e 30 minuta, gjyqtarja Elsa Ulliri konfirmoi masën arrest me burg, pasi dëgjoi dy palët, SPAK dhe avokatët mbrojtës.

Avokati i Berberit, Gentian Romano pas përfundimit të seancës tha për mediat se asnjë person tjetër nuk ka përfituar tenderë në mënyrë të padrejtë nga Berberi. Ai thotë se një çështje civile tregtare, SPAK e ka kthyer në çështje penale. Avokati tha se Berberi s’ka asnjë lidhje me kompanisë ‘DAAM’ sh.p.k, pasi atë e ka shitur.

Ai tregoi edhe qëndrimin që ka mbajtur Berberi në seancë bashkë me dy ortakët e tij, duke thënë se kanë kundërshtar akuzat e ngritura nga SPAK.

“Një çështje civile tregtare e kthyen në çështje penale. Gjatë kësaj kohe keni përcjellë marrëdhënien juridiko civile tregtare mes palëve në këtë proces, e cila më pas është përcaktuar nga SPAK si çështje penale. Qëndrimin tonë e kishim kundër akuzave që janë vënë nga Prokuroria, janë akuza që kërkojnë të shtrëngojnë gjykatën në masën e sigurimit arrest me burg.

Nuk ka përfituar në mënyrë të padrejtë asnjë tender persona të tjerë. Zotërues të kompanisë janë të tjerë, Berberi e ka shitur kompaninë në persona të tjerë. Nuk është më pronari i kompanisë që pretendohet.

Abuzohet në mënyrë të papërshtatshme me vlerat ekonomike. Këto gjëra do sqarohen, do paraqiten nga ana jonë analiza të mirëfillta ekonomike. S’ka vlera të fituara. Një proces juridik civil tregtar e kthyen në çështje penale”, tha avokati.


Shtuar 16.03.2024 15:54