Partia Demokratike, ka kërkuar heqjen e Endri Shabanit nga lista për garën e Avokatit të Popullit.
Në seancën e sotme plenare, aty ku pritet të votohen gjashtë kandidatët për këtë post, Berisha ka ngritur akuza se PS-ja po tenton ta marrë këtë institucion përmes Endri Shabanit.
Ai ka arsyetuar më tej se PD u tërhoq nga firmat, duke respektuar vendimin e Komisionit të Ligjeve, që deputeti ka të drejtë të firmosë vetëm një herë.
“Ne zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve. Në përputhje me vendimin e Komisionit të Ligjeve, ne bëmë shkresën dhe tërhoqëm të gjitha firmat.
Dhe, thashë edhe njëherë, deputeti mund të vendosë një firmë për një kandidat, për të tjerë mund të vendosë shumë, por vendimi i Komisionit të Ligjeve ishte i qartë, nuk pranohen sepse janë vendosur firma, i njëjti deputet ka firmosur disa kandidatë. Tani ju, meqenëse duhej patjetër ai që zoti Këlliçi e quajti Lepuri i Surrelit, por unë do ta quaj opozita që duam, kishte marrë firma, tani përmbysni vendimin. Po përmbysni vendimin e Komisionit të Ligjeve, vendimin tuaj, shkelmoni mbi veten tuaj, vetëm e vetëm që të grabisni Avokatin e Popullit. Ne kemi qenë luajalë me ligjin. Komisioni i Ligjeve vendosi që nuk mund të ketë më shumë se një të drejtë për një kandidat çdo deputet. Në respekt të saj, ne tërhoqëm firmat. Dhe ju vazhdoni tani, sepse ju e dini se Lepuri i Surrelit nuk merr dot asnjë firmë. Jo, nuk i merr dot. Dhe shikoni se ç’bëni, i bëni edhe atij kukumalen në qafë për të realizuar një akt të turpshëm. Bëjeni, por është një gjë shumë e ulët”,– u shpreh Berisha.
Në garë për Avokatin e Popullit janë gjashtë kandidatë, Ardiana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Endri Shabani, Skënder Haluca dhe Tartar Bazaj.
Mes emrave të dërguar në Parlament për momentin më i kuotuar është Endri Shabani, për të cilin thuhet se ka mbështetjen e së majtës.

