Një sasi e vogël e dyshuar tritoli është konstatuar herët këtë të shtunë pranë derës së një dyqani në lagjen nr. 13, në zonën e Plazhit në Durrës. Biznesi i përket reperit Rigels Rajku, i njohur publikisht me emrin Noizy.
Menjëherë pas zbulimit të lëndës së dyshuar eksplozive, në vendngjarje shkuan forcat e Policisë dhe grupi hetimor. Aktualisht po kryhen veprimet e nevojshme për dokumentimin e rastit, përcaktimin e rrethanave dhe identifikimin e autorit ose autorëve.
Të lidhura
None found
Lënda nuk kishte shpërthyer, ndaj nga incidenti nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar. Rasti i fundit rikthen në vëmendje një tjetër ngjarje të ngjashme që kishte prekur bizneset e reperit.
Më 8 qershor 2022, tritol ishte vendosur në një dyqan veshjesh dhe në një lokal në pronësi të Noizyt. Edhe atëherë nuk pati persona të dëmtuar. Në atë periudhë, ngjarjet u lidhën me konfliktet mes Noizyt dhe reperit Kleviol Ahmeti, i njohur si Cllevio Serbiano.
Hetimi për shpërthimin e vitit 2022 vijon nga Prokuroria e Posaçme. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë procedurave hetimore, dyshohet se urdhri për vendosjen e tritolit është dhënë nga Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjës”, të ndodhur në vitin 2017.
Pas incidentit të fundit, hetuesit po verifikojnë nëse ngjarja e regjistruar në Durrës lidhet me rastet e mëparshme apo nëse pas saj qëndron një konflikt i ri.
