Qeveria Shqiptare ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Aliebaj ka reaguar duke thënë se Rama e ka ndërmend ta çojë deri në fund marrëzinë e tij për legalizimin e kanabisit, ndërsa shton se ejet dhe licencat për këtë veprimtari do t’i përfitojnë vetëm miqtë dhe aleatët e Ramës.
Reagimi i Alibeajt:
Edi Rama duket i vendosur t’i shkojë deri në fund marrëzisë së tij për legalizimin e kanabisit në Shqipëri. Njeriu që në vitet 2015 – 2017 e mbushi gjithë Shqipërinë me kanabis, duke u shndërruar në një problem ndërkombëtar për trafikun e lëndëve narkotike, ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Njeriu që për shkak të problemeve me kanabisin, la vendin e tij në vendnumëro për vite të tëra në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Edi Rama pra, është kryeministri i vetëm në Evropë dhe më gjërë që ish-ministri i tij brendshëm gjendet në burg, për shkak të përfshirjes në grupet kriminale të trafikut të kanabisit.
Por, të gjitha këto duket se ai ka harruar ose bën sikur, dhe tashmë nën maskën e kultivimit për qëllime mjekësore dhe industriale, kërkon të legalizojë prodhimin e kanabisit.
Kriteret dhe procedurat e përcaktuara në projektligj, e bëjnë të qartë se lejet dhe licencat për këtë veprimtari do t’i përfitojnë vetëm miqtë dhe aleatët e Ramës. Kushdo e di se në një vend ku kriminaliteti dhe korrupsioni është në nivelet më të larta, mbajtja nën kontroll e kësaj veprimtarie është e pamundur. Këtë e dëshmojnë edhe rritja e procedimeve me 42.92% dhe e të dënuarve me 66.67% gjatë vitit 2021 për veprat penale të lidhura me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike (sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm). Aq më tepër, me një qeveri që ka treguar se drejtuesit e saj janë jo vetëm konsumatorë, por drejtpërdrejtë të përfshirë në trafikun e narkotikëve.
Prandaj, për Partinë Demokratike dhe Opozitën, qëndrimi ndaj kësaj marrëzie të pushtetit të Edi Ramës, duhet të jetë i qartë: Jo vetëm votë kundër në Parlament, por betejë në të gjitha frontet për të ndaluar kriminalizimin e ekonomisë shqiptare.