LDK: Kosova ndodhet në pozicion të rëndë diplomatik e strategjik

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërprerë stërvitjet e përbashkëta ushtarake “Defender 23” që ishin duke u mbajtur në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës në opoiztë ka thënë se “Qeveria po bie në grackën e Serbisë”.

“Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më pare”, thotë reagimi i LDK-së.

Kjo parti ka shprehur shqetësim karshi Qeverisë të Kosovës dhe ka kritikuar mungesën e koordinimit me aleatët ndërkombëtarë, dhe i ka bërë asaj thirrje që të zgjedh “të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër”.

“Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët”, ka thënë LDK-ja dhe ka nënvizuar se “devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”.

Kjo parti, e treta më e madhja në Kosovë, ka thënë se nuk do të lejojë me “asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë”.

Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për të”.

Hovenier i bëri komentet në një takim me një grup gazetarësh në Prishtinë.

Ai iu referua vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të vendit – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – përkundër rezistencës së vazhdueshme të banorëve lokalë, që rezultoi në dhunë.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi [i Qeverisë] ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Hovenier.

Ai citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili paralajmëroi se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, dhe tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023” është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër “hyrjen me forcë” të krerëve të rinj komunalë dhe ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës të shtensionojnë menjëherë situatën.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 30 maj kërkoi nga Kosova që të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, në mënyrë që, sipas tij, të ulen tensionet në këtë pjesë.

Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”./rel


Shtuar 30.05.2023 18:14