LDK fituese në 2 komuna, në balotazh edhe 9 të tjera

Zgjedhjet e së dielës, 17 tetor 2021 kanë sjellë rezultate befasuese për partitë politike.

Nga rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ-ja dhe numërimi i 99.8% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur të mbajë nën udhëheqje vetëm dy komuna me të cilat qeverisë edhe aktualisht.

Këto dy komuna janë Peja dhe Lipjani, ku kandidatët e tyre Gamzend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti kanë arritur të fitojnë pa balotazh edhe një mandat.

LDK në këto zgjedhje mund t’i humb edhe gjashtë komuna me të cilat aktualisht është duke qeverisur, pasi që do të jetë në balotazh.

Lutfi Haziri i LDK-së në Gjilan nuk ka arritur të siguroj fitore sikurse herëve të tjera në raundin e parë. Haziri në garë në raundin e dytë do të jetë me Alban Hysenin e LVV-së, shkruan Telegrafi.

Edhe në Viti, Sokol Haliti i LDK-së i cili aktualisht prin me vota do të jetë në balotazh me Arsim Ademin e LVV-së. Komunë tjetër të cilën LDK-ja mund ta humb në balotazh është Vushtrria.

Në këtë komunë kandidati i LDK-së, Xhafer Tahiri renditet i dyti sa i përket numërimitt të votave, kurse i pari është kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi. Tahiri e Idrizi do të përballen sërish në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Situatë e njëjtë është edhe në Istog e Fushë Kosovë, komuna këto të cilat për vite janë udhëhequr nga LDK-ja.

Në Istog, Ilir Ferati i LDK-së do të jetë në balotazh me Bekë Berishen e AAK-së. Kurse në Fushë Kosovë, Burim Berisha i LDK-së do të jetë në balotazh me Enver Bajçincën e LVV-së.

Tjetër komunë që LDK-ja mund ta humb në balotazh e me të cilën aktualisht ka udhëhequr është Dragashi. Në këtë komunë LDK në balotazh do të jetë me PDK-në.

Në balotazh LDK-ja do të jetë edhe në Prishtinë si partia e dytë, kurse në Podujevë kandidati i kësaj partie, Ekrem Hyseni aktualisht është duke prirë me një diferencë shumë të vogël me vendin e dytë e që është Shpejtim Bulliqi i LVV-së.

LDK-ja në balotazh do të jetë edhe në Junik. Në këtë komunë LDK do të jetë në garë me AAK-në. Në zgjedhjet e përgjithshme LDK është renditur partia e tretë në nivel nacional me 110 mijë e 985 apo 12,73% të votave.


Shtuar 18.10.2021 11:38