Laporta e pranon se kërkon Xavin për stolin

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, tha të premten se ka marrë mbështetje pozitive për ta angazhuar Xavi Hernandezin si trajner të ekipit. Madje, ai e pranoi se dëshiron që Xavi të jetë trajner i Barçës gjatë mandatit të tij si president i klubit nga “Camp Nou”. Megjithatë, Laporta refuzoi të konfirmojë se Xavi do të pasojë Ronald Koemanin, i cili u shkarkua të mërkurën mbrëma, dhe tha se Barça ka “opsione të tjera” për postin e trajnerit.

Në fakt, mediumet spanjolle kanë shkruar se marrëveshja mes Xavit dhe Barcelonës tashmë është arritur, dhe se ish-mesfushori i Spanjës javën e ardhshme pritet të zyrtarizohet si trajner i ekipit.

Xavi, aktualisht është trajner i skuadrës nga Katari, Al Sadd, në krye të së cilës do të jetë edhe për dy ndeshje përpara se të largohet. Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, tha se nuk ka as dyshimin më të vogël se Xavi është gati ta drejtojë klubin nga La liga. Vlerësimi entuziast i Laportës për ish-mesfushorin legjendar të Barçës do të merret si një tregues i fortë se ai është zëvendësuesi i preferuar për holandezin Koeman.

Pas një karriere të shkëlqyer në “Camp Nou”, Xavi u largua në vitin 2015 për të luajtur tek Al Saddi në Katar përpara se të bëhej trajner i skuadrës dy vjet më parë. Ai me Al Saddin ka kontratë deri në fund të vitit 2023.

“E thashë kur ai shkoi në Katar, se Xavi do të përfundonte si trajner i Barçës, në fakt do të doja që ai të ishte trajner i Barcelonës gjatë mandatit tim si president i klubit, por që kjo nuk e di se kur do të ndodhë. Është e vërtetë se raportet me të i kam shumë të mira. Unë nuk e kam ndjekur Al Saddin, por kemi biseduar për ndeshjet e Barçës në telefon. Kemi parë ndeshjet pothuajse së bashku”, ka thënë Laporta. “Më lejoni të mos them më shumë për të gjitha bisedat me Xavin dhe për angazhimin e tij si trajner. Mirëpo, dua t’ua bëj me dije se Barça ka opsione të tjera”.

Trajneri i ekipit B të Barcelonës, Sergi Barjuan, është vënë trajner i përkohshëm dhe Laporta tha se pritet që ai të jetë në krye të ekipit për ndeshjet kundër Alavesit në La Liga të shtunën dhe Dynamo Kievit në Ligën e Kampionëve të martën tjetër. Ndërkohë, ndeshja e parë e Xavit si trajner i Barcelonës mund të jetë ajo në udhëtim kundër Celta Vigos që zhvillohet katër ditë pas asaj me Dynamo Kievin.

“Xavi është në një proces shumë interesant. Ai po zhvillohet shumë mirë si trajner dhe kam referenca shumë të mira për të, nga njerëzit e afërt dhe nga njerëzit që e njohin atë më mirë se unë”, tha Laporta.

“Unë flas me të shpesh. E di shumë mirë se çfarë mendon ai për ekipin dhe çfarë mendon se duhet bërë për ta kthyer Barcelonën te suksesi”.

Edhe trajneri i Cityt, Guardiola, i ka dhënë mbështetje të madhe Xavit për ta marrë drejtimin e Barcelonës. Guardiola ishte trajner i Xavit në kohën e periudhës së artë të Barçës midis viteve 2008 dhe 2012. Në të vërtetë, shumë në “Camp Nou” shpresojnë se Xavi do t’i ndjekë hapat e Guardiolas duke e përsëritur stilin ikonik “tiki-taka” të lojës që atëbotë e aplikonte Barcelona.

“Nuk kam asnjë dyshim, ai është i gatshëm të jetë trajner te Barça”, tha Guardiola të premten në një konferencë për shtyp në Manchester. “Ai e njeh futbollin, e njeh mjedisin e klubit, i cili është shumë i rëndësishëm në Barça, dhe ai ka më shumë përvojë sesa unë kur e mora vendin e punës”.

Laporta tha se ishte i detyruar ta shkarkojë Koemanin, sepse “situata nuk ishte e qëndrueshme” dhe skuadra “nuk ishte në rrugën e duhur për t’i arritur objektivat e sezonit që janë fitimi i trofeve”.

Madje, Laporta pranoi se do të duhej ta shkarkonte shumë më herët Koemanin dhe të mos e linte kaq gjatë në krye të ekipit.

“Ndoshta duhet ta kishim shkarkuar Koemanin më herët dhe unë e marr përgjegjësinë për këtë”, tha Laporta. “Ne menduam se ai kishte nevojë për mbështetje, por padyshim ekipi nuk po lëvizte më”.

Barcelona, aktualisht ka vetëm 15 pikë të tubuara në La Liga pas dhjetë ndeshjeve të zhvilluara dhe zë vendin e nëntë në tabelë. Ndërkohë, në Ligën e Kampionëve ende nuk e ka të sigurt kalimin e fazës së grupeve pasi ka vetëm një fitore karshi dy humbjeve në tri ndeshje të zhvilluara.


Shtuar 29.10.2021 16:19

Tags: ,