Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Lozhanit në Maliq, ku një efektiv i forcave ‘Shqiponjave’ ka mbetur i vrarë gjatë një shkëmbimi me armë zjarri me një të shpallur në kërkim për shitje të narkotikëve.
Viktima është identifikuar si Enea Mekolli, ndërsa i plagosur ka mbetur dhe efektivi tjetër Edison Adri. Ky i fundit, është transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.
Të lidhura

Efektivi i vrarë, Enea Mekolli
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë së Korçës, Maliqit dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë rrethuar zonën e Lozhanit, në malin Boden, ku dyshohej se fshihej shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç.
Ky i fundit një ish-ushtarak ishte i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivim të bimëve narkotike”.
Policia i ka bërë thirrje të dorëzohej, por Braçellari ka hapur zjarr ndaj efektivëve.
Si pasojë, ka humbur jetën inspektori Enea Mekolli 34 vjeç, dhe është plagosur inspektori Edison Adri 36 vjeç.
Të dy ishin pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Autori i masakrës

Violand Bracellari
Violand Braçellari, ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimeve të mëparshme dhe rrezikshmërisë së lartë që paraqiste.
Në vitin 2017, Gjykata e Korçës e dënoi me 9 vite, 11 muaj e 7 ditë burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Apeli dhe Gjykata e Lartë, duke e bërë dënimin përfundimtar.
Më herët, në vitin 2011, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Këto precedentë e bënë një person të njohur për aktivitet kriminal në zonën e Maliqit.
Përveç veprave të lidhura me narkotikët, Braçellari ishte nën gjykim edhe për krime ndaj personit, konkretisht për një plagosje. Ai kishte arritur të shmangte disa herë operacionet e forcave speciale, duke u fshehur në terrene të vështira malore.

