Kuvendi në seancë, opozita në protestë, Rama u mëson himnin japonezëve

Kjo e enjte nuk ka nisur ndryshe nga javët e kaluara, teksa Kuvendi mban seancë plenare dhe opozita proteston jashtë dyerve të tij.

Edhe në këtë seancë, nuk ka ndodhur ndryshe nga seancat e tjera, me përjashtim të së kaluarës, kryeministri Edi Rama ka shënuar mungesë.

Prej dy ditësh ai është në një vizitë zyrtare në Japoni, në kuadër të 42-vjetorit  të rivendosjes të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

As nga Lindja e Largët ai nuk ka pasur ndonjë koment për situatën në vend, ku ka zgjedhur emisionet televizive për të thënë disa fjalë dhe ka refuzuar vazhdimisht Kuvendin.

Pasi u tregoi rakinë japonezëve, Rama sot ka ndarë një tjetër video, ku luhet himni shqiptar në harpë.

Ndërkohë në vend, në hyrje të Kuvendit edhe sot pati përplasje mes deputetëve të përjashtuar demokratë dhe gardës.

Gjashtë deputetë të përjashtuar janë Lindita Metaliaj, e përjashtuar me 5 ditë, Greta Bardeli 3 ditë, Edmond Spaho 10 ditë, Oerd Bylykbashi 10 ditë, Elda Hoti 10 ditë dhe Sorina Koti 10 ditë. Të përjashtuar janë edhe Sali Berisha, Flamur Noka, dhe Belind Këlliçi.

Po ashtu ka nisur edhe protesta e opozitës, e cila ka paralajmëruar se do të jetë para Kuvendit në çdo seancë plenare. /albeu.com

 


Shtuar 23.02.2023 11:09