Këtë të enjte, Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në orën 14:30, për të zhvilluar seancën e radhës plenare. Në rendin e ditës, pritet të diskutohen dhe miratohen disa projektligje.
Pas miratimit të procesverbalit të seancës plenare të datës 20 janar, do të nisin diskutimet për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”.
Një tjetër projektligj që pritet të diskutohet është projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 27-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar, Abidjan 2021, përfshirë ndryshimet e miratuara në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Addis Ababa 2018, dhe në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Gjenevë 2019, të Bashkimit të Përbotshëm Postar”.
Gjatë seancës plenare, është parashikuar po ashtu të miratohet Akti Normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2024.
Një tjetër projektligj që do të diskutohet është projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu””.
Po ashtu, në rendin e ditës është parashikuar shqyrtimi i projektligjit për disa shtesa dhe ndryshime për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë.
Të tjera projektligje që janë parashikuar për t`u diskutuar janë projektligji; “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”; projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për investimet e strategjike në Republikën e Shqipërisë”; projektligji për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”;
Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-EuroMediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr.59/2024, me qëllim përfshirjen e dispozitave kalimtare në ndryshimet e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane, të zbatueshme nga 1 janari 2025”.
Gjatë seancës plenare, do të shqyrtohet gjithashtu edhe projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e (i) miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; (ii) shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d. o. o. ; dhe (iii) ndërtimit të portit të ri në Porto Romano”.
Në rend dite është parashikuar të shqyrtohet edhe projektvendimi për “Për dërgimin e mocionit në gjykatën kushtetuese”, për mandatin e deputetit të Partisë Socialiste Vullnet Sinaj.