Kuvendi me 59 vota “pro”, asnjë kundër dhe abstenim, e miratoi Vendimin me të cilin aprovohet vazhdimi i afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në Qytetin e Shkupit, për shkak të mungesës së energjisë për ngrohje, mundësisë për përdorimin e lëndëve alternative djegëse dhe kushteve në tregun e energjisë për ngrohje, në kuadër të seancës së 63-të.
Gjendja e krizës do të zgjasë deri më 30 prill të vitit 2022.
Qeveria, konkretisht Elektranat Maqedonisë së Veriut, duhet të marrin obligimin për furnizim me energji ngrohëse kundrejt BEG si furnizues në kushtet kur çmimi i energjisë është rritur për 40 për qind.
Për opozitën, qytetarët nuk duhet të paguajnë fatura më të larta për shkak të punës së pakujdesshme të Qeverisë, përkatësisht të institucioneve që nuk kanë ditur ta menaxhojnë krizën energjetike. Për shumicën qeverisëse, Qeveria u përgjigjet me kohë dhe në mënyrë efikase të gjitha sfidave, në interes të qytetarëve dhe ekonomisë./alsat