Kuvendi çon në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Metës

Kuvendi ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Gjkata ka tre muaj afat për të vendosur nëse e shqyrton ose jo çështjen dhe nuk ka asnjë limit për kohën kur duhet të mbylle gjykimin dhe të shprehet me vendim.

Kujtojmë se Kuvendi shkarkoi Metën me 104 vota pro më 9 qershor dhe tashmë fati i tij mbetet në Gjykatën Kushtetuese.

Cfarë pritet të ndodhë?

Kushtetuesja një kopje të vendimit, bashkë me provat përkatëse, ia dërgon Presidentit, i cili ka të drejtë të japë me shkrim sqarimet dhe prapësimet që i çmon të nevojshme.

Më tej, Gjykata Kushtetuese vendos ose jo për kalimin e çështjes në seancë plenare, me shumicën e anëtarëve të saj, konkretisht me jo më pak se 5 vota.

Më pas, Gjykata Kushtetuese zhvillon një seancë publike për shqyrtimi e vendimit të shkarkimit të Presidentit. Për të mbledhur në seancë duhet që të marrin pjesë jo më pak se 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga 9 anëtarë që ka në total. Në seancën plenare ftohet Presidenti dhe përfaqësues të Kuvendit, për të paraqitur pretendimet.

Mungesa në seancën plenare e Presidentit ose e përfaqësuesit të tij pa arsye nuk përbën shkak për mos zhvillimin e gjykimit. Pas seancës plenare, kur Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se Presidenti i ka shkelur rëndë Kushtetutën, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Kur Gjykata Kushtetuese nuk arrin në përfundimin se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën, vendos shfuqizimin e vendimit të Kuvendit. Në të dy rastet vendimi hyn në fuqi sapo të shpallet dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese do të nisë shqyrtimin e vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Metës brenda tre muajve./albeu.com


Shtuar 14.06.2021 15:06