Ka përfunduar seanca e nisur prej paradites së kësaj të mërkure në Gjykatën Kushtetuese, ku u diskutua mbi shembjen e Teatrit Kombëtar, ligjin special Fusha, si dhe vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës që i dha vulën përfundimtare shembjes së godinës historike në zemër të kryeqytetit.
Mësohet se trupa gjykuese është tërhequr në këto momente për marrjen e vendimit përfundimtar. Tërheqjen për vendim e ka konfirmuar dhe avokatja Adriana Kalaja.
‘’Siç jeni në dijeni, mbaruam një seancë maratonë, filloi 10 paradite. Sot u bë realisht gjykimi i themelit të çështjes, ku Presidenti dhe Aleanca kërkuam shfuqizimin e ligjit special të 2018 të VKM së transferimit të pronës së 2020 dhe vendimit të Bashkisë pë shembjen e teatrit.
Pas një debati të gjatë siç e keni ndjekur, Gjykata Kushtetuese e mbylli hetimin, administroi provat dhe u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar.’’- tha avokatja Adriana Kalaja.
Kujtojmë se gjykata zgjeroi ditën e djeshme objektin e hetimit, mbi vendimin e Këshillit Bashkiak, teksa tashmë pritet të jepet vendimi dhe për kërkesën tjetër të presidencës, që të pezullohet çdo lloj punimi mbi truallin ku ishte i vendosur Teatri Kombëtar.