Kushtet e Putinit për t’i dhënë fund luftës, Zelensky: Mund të bëjmë kompromis për rajonin e Donbas-it

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky e ka lënë të hapur mundësinë e bërjes së kompromisit për çështjen e Krimesë dhe rajonin e Donbas-it. Në një intervistë për Abc News, Zelensky tha se ishte i hapur për dialog, por se nuk është i përgatitur të dorëzohet.

“Ne mund të bëjmë kompromis për mënyrën sesi do të vazhdojë jeta në këto zona,” tha Zelensky, duke shtuar se po flasin për zona që vetëm Rusia dhe askush tjetër nuk i ka njohur.

“Për mua, gjëja më e rëndësishme është se si do të jetojnë njerëzit në këto zona që duan të jenë pjesë e Ukrainës… Kështu që çështja është më e ndërlikuar sesa thjesht njohja,” shtoi ai.

Duke komentuar kushtet e vëna nga lideri rus një ditë më parë për t’i dhënë fund luftës, Volodymyr Zelensky tha se Ukraina nuk është gati për ultimatume. Ai shtoi se ajo që duhet të bëjë Putin është që të fillojë dialogun dhe jo të vijojë të “jetojë në flluskën e tij.”

Duke iu referuar NATO-s, presidenti ukrainas komentoi se e ka pranuar se “aleanca nuk është gati të pranojë Ukrainën” dhe “ka frikë të përballet me Rusinë”.

Kujtojmë se të hënën u zbuluan tre kushtet e Rusisë ndaj Ukrainës për të përfunduar luftën.

-Kushti i parë është vendosja e një kryeministri pro rus në Ukrainë, ndërkohë që Zelensky mban detyrën, por me kompetenca më të zvogëluara. Flitet se rusët parapëlqejnë Yuriy Boiko si kryeministër.

-Kushti i dytë është që Ukraina të njohë Krimenë si pjesë të Rusisë si edhe të njohë Luhanskun dhe Donjeckun si republika të pavarura.

-Kushti i tretë është ndryshimi i Kushtetutës dhe caktimi në të se Ukraina nuk do të bëhet pjesë e asnjë blloku perëndimor si NATO apo Bashkimi Evropian.


Shtuar 8.03.2022 12:27