“Kush janë porositësit e naftës kontrabandë”, Dash Sula: Nga kush ka frikë shteti? Po arrestohen “peshqit e vegjël”

Deputeti demokrat Dashnor Sula përmes një postimi në Facebook ngre pyetjen se kush janë porositësit e vërtetë të naftës?

Në mënyrë të përsëritur në Shqipëri janë kapur anije me naftë kontrabandë dhe policia nuk ka arritur të zbulojë porositësit.

Sula: Nga kush ka frikë shteti që nuk deklaron apo nuk ndëshkon porositësit e naftës?

Sipas tij, në pranga kanë rënë vetëm “peshqit e vegjël.”

Postimi i plotë:

Kush janë porositësit e naftës kontrabandë?

Në mënyrë të përsëritur në Shqipëri futet naftë kontrabandë. Kohët e fundit skandali është zgjeruar pasi jo vetëm kontrabandohet nafta, por thyhet edhe embargo e vendosur me Libinë. Dje policia lajmëroi se ka kapur 62 mijë litra naftë në dy peshkarexha.

Nga ana e policisë lajmi shitet si një arritje, por ajo që shqetëson shqiptarët është fakti se nga kush ka frikë shteti që nuk deklaron apo nuk ndëshkon porositësit e naftës. Si në rastin e parë edhe në këtë të dytin policia mburret se kapja u bë pas veprimeve të koordinuara me partnerët, por në fakt nuk e lejon operacionin e jashtligjshëm që të shkojë deri në fund në mënyrë që të zbulohen edhe porositësit e vërtetë të naftës. Si në rastin kur u sekuestrua anija cisternë në verë, por edhe dje, në prangat e policisë kanë rënë vetëm ata që në zhargon quhen peshqit e vegjël. Nuk i hyn asnjë gjëmb në këmbë atyre që porosisin naftën.

Nëse policia arreston vetëm kapitenët e anijeve, trafikantët e naftës e kanë të lehtë të gjejnë kapitenë të tjerë dhe të bëjnë sërish këtë aktivitet. Ndaj theksoj që problemi i vërtet është porositësi dhe ata që ofrojnë garanci në Shqipëri që këto aktivitete të funksionojnë.

/Albeu.com/ 


Shtuar 14.01.2023 16:11