Kush ishin spiunët rusë në Mbretërinë e Belgjikës?

Një “përfaqësues tregtar” modest me qasje të nivelit të lartë në Kremlin.

Një “konsull i përgjithshëm” i lidhur me shërbimin më të madh të spiunazhit të Rusisë.

Në fund, një “teknik” me përvojë në përgjime.

Këto janë tre ndër identitetet e 21 diplomatëve rusë të dëbuar nga Belgjika në muajin prill.

Investigimi i gazetës online “EuObserver” sqaron se profilet ndihmojnë për të treguar historinë se si Moska e ktheu Bruksel-in në ‘kryeqytetin spiun’ të Evropës.

Spiuni më i vjetër në Belgjikë ishte 46-vjeçari Alexei Kuksov, një “zëvendës përfaqësues tregtar”.

Ai vinte nga një njësi elitare në shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë GRU, shkruan “EuObserver”.

Pas diplomimit nga një akademi ushtarake në vitin 2001, Kuksov shkoi për të shërbyer në njësinë 5476 të GRU-së.

Kjo, sipas dokumenteve të zbuluara nga The Dossier Center – një OJQ me qendër në Londër e financuar nga oligarku rus i kthyer në disident Mikhail Khodorkovsky, i cili gjuan spiunët rusë në Evropë.

Katër vjet më vonë, GRU e transformoi njësinë 5476 në Qendrën e saj të Kërkimit të Aftësive të Huaja Ushtarake.

Stafi mbledh informacione mbi ushtritë e huaja dhe raportet e saj kanë lidhje direkte me kreun e GRU-së, Igor Kostyukov dhe këshilltarin më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin për sigurinë kombëtare, Nikolai Patrushev.

Konsulli i përgjithshëm i Rusisë në Antwerp, 44-vjeçari George Kuznetsov (i dëbuar gjithashtu) është një ish-punonjës i Konsorciumit të Avionëve të Bashkuar në Shën Petersburg, i cili iu bashkua ministrisë së Jashtme ruse në vitin 2001.

Por në një moment, ai gjithashtu duket se i është bashkuar shërbimit të brendshëm të inteligjencës ruse, FSB.

Adresa e Kuznetsov në Moskë dikur renditej si shtëpia numër pesë (kodi për Shërbimin e 5-të) në Varsonofievsky Lane.

Ndërkohë, 46-vjeçari Vadim Artyushov (i dëbuar) ishte një “teknik” në ambasadën ruse në Belgjikë.

Por ai shërbente në njësinë 47747 të GRU-së në Klimovsk afër Moskës, e cila dikur ishte e vendosur në Kubë për të përgjuar sinjalet e SHBA-ve.

Kjo e fundit, u zhvendos në Rusi në vitin 2001 dhe tani trajnon njerëzit për të përgjuar rrjetet lokale të telekomunikacionit jashtë vendit.

Artyushov nuk ishte i vetmi, i cili maskonte kredencialet më të mëdha ruse, në një pasqyrë të modus operandi-t rus.

40-vjeçari Ivan Kvasha, për shembull (i dëbuar), ishte përgjegjës për “mirëmbajtjen” e ambasadës në Belgjikë.

Por portieri mbante gradat e një koloneli të GRU-së kur ishte në shtëpi.

Dhe Igor Taut (i dëbuar), një “elektricist” 51-vjeçar i ambasadës, ishte në fakt një i diplomuar në Universitetin Teknik të Komunikimit dhe Informatikës në Moskë të lidhur me FSB-në.

Nëse Artyushov bënte përgjime, atëherë dy nga kolegët e tij të përjashtuar ishin gjithashtu specialistë komunikimi.

43-vjeçari Dmitry Chulaev, një “atashe” i ambasadës dhe një oficer në shërbimin e inteligjencës së jashtme të Rusisë SVR, ka të ngjarë të jetë përgjegjës për trajtimin e komunikimeve të sigurta të ambasadës me Moskën, sipas një burimi rus, i cili kërkoi të mos përmendet emri.

Dhe 36-vjeçari Aleksei Kozhevnikov, një tjetër “atashe”, ishte një oficer i GRU-së me të njëjtin sfond.

Kozhevnikov i regjistronte makinat e tij në 56 Volokolamskoye Shosse në Moskë, sipas bazave të të dhënave të policisë ruse.

Por jo të gjithë ata që Belgjika u dëbuan patën role magjepsëse.

46-vjeçari Alexey Strelkov, për shembull, një “atashe” dhe oficer SVR, ka punuar për VIM, një qendër kërkimore agro-inxhinierike në Moskë.

Në një vështrim më të gjerë të dëbimeve belge, të gjithë 21 spiunët e supozuar ishin burra, kryesisht rreth të 40-tave.

Më i madhi ishte 62-vjeçari Sergei Ignatov, një “atashe” dhe oficer i SVR-së, ndërsa më i riu ishte 28-vjeçari Sergey Spirin, zëvendëskonsulli rus në Antwerp dhe një njeri i GRU-së.

Në total, 10 nga rusët vinin nga GRU, nëntë vinin nga SVR dhe dy kishin prejardhje nga FSB.

GRU konsiderohet shërbimi më i rrezikshëm rus.

Ajo trajnon njerëzit në luftime të armatosura dhe të paarmatosura, përdorimin e helmeve dhe eksplozivëve dhe ka orkestruar operacione vdekjeprurëse në Evropë.

Këtu përfshihen helmimet e ish-spiunëve rusë në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 2018 dhe 2006, vrasjen e një emigranti çeçen në Gjermani në vitin 2019 dhe shpërthime në depot e armëve çeke në 2014.