Aida Çorovic u bë e njohur për publikun pasi dje hodhi vezë në muralin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq në Beograd. Ajo u sulmua nga përkrahësit e kriminelit Mlladiq e më pas u arrestua edhe nga policia.
“Jam aktiviste e të drejtave të njeriut për shumë vite dhe pozicioni im është të qëndrojë prapa të gjithë viktimave të Srebrenicës”, tha Corovic pas arrestimit.
Të martën, më 9 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare kundër Fashizmit, Antisemitizmit dhe Ksenofobisë, Aida Çorovic hodhi vezë në një mural kushtuar kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, i cili ishte duke u mbrojtur nga policia. Pas kësaj, ajo u arrestua së bashku me aktivisten Jelena Jacimovic.
Fituesja e çmimit “Pushtimi i Lirisë”, e ka luftuar nacionalizmin dhe fashizmin për vite me radhë si dhe ka qenë aktiviste për të drejtat e grave.
Aida Corovic ka lindur në vitin 1961 në Novi Pazar, ka studiuar arkitekturën dhe historinë e artit në Beograd.
Deri në shpërthimin e luftërave në ish-Jugosllavi, ajo ishte e angazhuar në kritikë të artit dhe në hulumtime arkeologjike dhe arkitekturale. Pas luftës, ajo u bë aktiviste e paqes në Beograd, në qendrën për aksion kundër luftës dhe në organizatën Gratë në të Zeza.
Ajo ka qenë anëtare e Aleancës Qytetarë dhe pastaj në Partinë Unioni Social Demokrat që ka marrë pjesë në formimin e Opozitës Demokratike të Serbisë që ka luftuar nacionalizmin në Serbi, duke insistuar në vendosjen e marrëdhënieve miqësore me shtetet e ish-Jugosllavisë.
Nga prilli 2014 deri në qershor 2016, ajo ishte deputete e parlamentit të Serbisë.
Në një nga seancat e parlamentit, Corovic kishte deklaruar se për shkak të punës së saj si aktiviste, ajo ishte kërcënuar me vdekje.
Gjatë vitit 2020, ajo kishte njoftuar se është e papunë dhe kërkonte një punë. Asaj i kishte ardhur një ofertë pune nga zyra e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq të cilën e kishte refuzuar./GazetaExpress