Kush do vritej? Parandalohet atentati në Berat, shpallen në kërkim anëtarët e grupit kriminal

Policia e Beratit ka parandaluar një atentat që do kryej nga një grup kriminal.

Janë sekuestruar 2 armë zjarri me silenciatorë, municion luftarak, motomjet, skafandra, mjet prerës (thikë), veshje kamuflazhi, radio marrëse-dhënëse, dylbi dhe sende të tjera që do të përdoreshin për realizimin e vrasjes së një shtetasi (identiteti i tij nuk bëhet me dije nga policia).

Në kërkim janë shpallur 3 persona, pjesëtarë të grupit që do të kryente atentatin  dhe vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe ato të Komisariatit të Policisë Berat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, kanë ngritur pika kontrolli me shërbime grackë, në disa rrugë dhe fshatra ku dyshohej se mund të kryhej kjo ngjarje kriminale.

Shtetasit që kishin planifikuar këtë atentat, në pamundësi për të realizuar qëllimin e tyre, të gjendur nën presionin e Policisë, kanë fshehur automjetin brenda të cilit kishin mjetet për kryerjen e krimit, dhe duke përfituar nga errësira, janë larguar në zona të pyllëzuara.

Shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të imtësishme dhe informacioneve policore të siguruara, kanë bërë të mundur gjetjen e automjetit, të një motomjeti të vjedhur, me 2 skafandra, të veshjeve të kamuflazhit (xhup meshini), të një arme zjarri automatik me silenciator, të një pistolete me silenciator dhe të një sasie municioni luftarak.

Në vijim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, nga kontrolli në banesën e njërit prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht në banesën e shtetasit 43-vjeçar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 radio marrëse-dhënëse, dylbi, dorashka dhe lëndë djegëse.

Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve:

-H. B., 55 vjeç, banues në Kosovë;

-A. Sh., 30 vjeç, banues në Korçë;
-E. G., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Për shkak të konfidencialitetit të hetimeve intensive që po zhvillohen për këtë rast, policia nuk ka dhënë detaje të tjera mbi motivin e këtij rasti apo mbi objektivin e synuar nga autorët.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”./Albeu.com./


Shtuar 31.05.2023 10:37