Kush do të jetë lideri i ardhshëm i Iranit?

The Economist

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kur vdiq në vitin 1989 Ayatollah Ruhollah Khomeini, udhëheqësi karizmatik i Revolucionit islamik të Iranit, qindra mijëra që vajtonin mbushën rrugët e vendit, të frikësuar se çfarë mund të ndodhte më pas. Sot gjendja shpirtërore e iranianëve është shumë e ndryshme.

Për më shumë se 6 muaj iranianët kanë demonstruar masivisht, duke brohoritur “Vdekje Ayatollah Ali Khamenei”, pasardhësit të sëmurë të themeluesit si Udhëheqës Suprem. Megjithatë, askush nuk e di se kush mund ta pasojë kur të ndërrojë jetë, apo nëse mund të mbijetojë teokracia e fundit e Lindjes së Mesme.

Pavarësisht disa probleme serioze për shkak të kancerit, 84-vjeçari mund të qëndrojë në kye të vendit edhe për disa vite. Por dyshimet për shëndetin e tij – dhe fuqinë e sistemit të tij, Velayat-e Faqih, ose sundimi klerial – po rriten. Edhe iranianët shumë besimtarë, kanë filluar që ta humbasin besimin tek teokracia.

Regjimi është dukshëm jopopullor. Zgjedhjet kanë qenë prej kohësh një fasadë. Strategjia e mos-rreshtimit në politikën e jashtme po duket gjithnjë e më e rreme, teksa regjimi iranian po afrohet shumë me Kinën dhe Rusinë. Zëvendësimi i udhëheqësit do të tronditë statuskuonë, parashikon Pejman Abdolmohammadi nga Universiteti i Trentos në Itali.

“Kjo mund të përshpejtojë një kontroll të plotë autoritar ose të nxisë një tranzicion drejt demokracisë”- shton ai. Në letër, vazhdimësia duhet të jetë e qetë. Siç qëndrojnë gjërat aktualisht, Udhëheqësi Suprem ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet e shtetit, duke i dhënë atij një pozitë shumë më të lartë se presidenti, që zgjidhet në kushte jodemokratike çdo 4 vjet.

Ndërkohë Udhëheqësi Suprem, zgjidhet nga një asamble e përbërë nga 88 klerikë. Nëse kjo elitë me çallma në kokë, nuk është e sigurt se kë të zgjedhë, vendos një triumvirat i përbërë nga presidenti, kryetari i drejtësisë dhe një jurist i lartë, dhe një referendum e konfirmon zgjedhjen e tyre.

Në vitin 1989, triumvirati, që përfshinte djalin e Khomeinit, zgjidhi emrin e Ali Khameneit, një klerik i rangut të mesëm, që tashmë mbante postin e presidentit, duke anashkaluar asamblenë e klerikëve. Vendimi pasoi një referendum kushtetues.

Tre dekada më vonë, Khamenei nuk ka zgjedhur ende një pasues. Ndërkohë regjimi i tij është tronditur nga demonstratat dhe rebelimet pas vdekjes shtatorin e vitit të kaluar të një gruaje të re në ambientet e paraburgimit të së ashtuquajturës polici e moralit. Dy pretendentët kryesorë kanë një formim fetar edhe më të dobët se ajo e Khameneit.

Ebrahim Raisi, dikur kryetar i drejtësisë dhe tani një kryetar reaksionar, kaloi një kohë relativisht të shkurtër duke studiuar nëpër seminaret teologjike. “Ai është po aq i kualifikuar sa një imam xhamie”- thotë Mustafa Fahas, një akademik mysliman shiit në Liban që monitoron ngjarjet në Iran.

Vjehrri i Raisit është një klerik ultra-konservator. Ndër të tjera, ai dëshiron të ndalojë muzikën, dhe kjo qasje e largon atë nga shumica e iranianëve. Kandidati tjetër kryesor është djali i dytë i Khameneit, Mojtaba. Ai drejton zyrën e liderit suprem dhe është i afërt me Hossein Taib, deri vonë shefi i fuqishëm i inteligjencës në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike ( IRGC), organi pretorian i regjimit.

Mojtaba Khamenei është cilësuar kohët e fundit nga televizioni shtetëror si një Ayatollah, grada më e lartë e klerit. Por ai nuk ka mbajtur kurrë një post zyrtar, dhe është parë rrallë në publik. Shumë mbështetës të regjimit nuk e pëlqejnë perspektivën e një trashëgimie dinastike: revolucioni i tyre u themelua mbi përmbysjen e një Shahu.

Një faktor i ri madhor, krahasuar me situatën e vitit 1989, është ngritja e rolit të IRGC. Tani Garda mban në dorën kamxhikun mbi klerikët. Për 3 dekada Khamenei e ka ndërtuar fuqinë e tij si një mbrojtje kundër rivalëve në gjirin e klerit, dhe kundër rrezikut të opozitës në rrugë.

Përfaqësimi i IRGC në parlament është rritur nga 6 për qind në vitin 1980 (një vit pas revolucionit) në 26 për qind sot sipas Chatham House, një institut kërkimor në Londër. Ndërkohë përfaqësimi i klerikëve ka rënë nga 52 në 11 për qind gjatë së njëjtës periudhë.

Dikur kleri dërgonte klerikë tek njësitë e IRGC, tani kjo e fundit trajnon klerikët e vet dhe i dërgon në seminare, thotë Ali Alfoneh, një ekspert në SHBA mbi Iranin, që ka shkruar edhe një libër mbi pasardhësin e lidershipit të Iranit.

Pra, ndërsa IRGC-ja ka fituar shumë pushtet, jo pak analistë mendojnë se komandantët e saj mund ta mbajnë në krye figurën e liderin suprem, por ta reduktojnë peshën e tij në kufijtë e një posti simbolik. “Ata mund të preferojnë zotin Raisi si një idiot të dobishëm që i përshtatet rrethanave”’- thotë Saied Golkar, një tjetër ekspert i Iranit në Amerikë.

IRGC mund të marrë vetë përgjegjësinë e qeverisjes duke rrëzuar plotësisht qeverisjen klerikale, duke e zëvendësuar atë me një alternativë po aq autoritare. Por IRGC mund të jetë më pragmatike sesa kleri në pushtet, dhe do të përpiqet të mos përplaset me klasën e mesme tashmë të pakënaqur.

Megjithatë, në politikën e jashtme, gara mund të jetë po aq e fuqishme, duke hequr dorë nga fetva-ja e Khameneit kundër armëve bërthamore dhe duke u angazhuar haptazi për të ndërtuar një bombë bërthamore. Ndërsa vazhdon që të kundërshtojë praninë e Amerikës në Gjirin Persik, IRGC mund të jetë megjithatë më fleksibël në negociatat me “Satanain e Madh”.

Disa analistë argumentojnë se IRGC mund të imponojë një kontratë të re sociale, ku iranianët do të kishin më shumë liri për të veshur, pirë dhe kërcyer sipas dëshirës. Irani mund të ketë një Ministre Arsimi femër, e para në më shumë se 40 vjet. (Një skuadër pushkatimi islamike e vrau ministren e fundit në vitin 1980).

Megjithatë liritë politike do të tkurren akoma më shumë. Ky proces mund të ketë filluar tashmë. Policia e moralit i lë shpeshherë të qeta gratë e pambuluara në publikut. Megjithatë represioni kundër mospajtimit dhe krimit është më i ashpër së kurrë më parë. Ekzekutimet me vdekje u rritën me më shumë se 80 për qind vitin e kaluar, ose 576 persona.

Nëse një regjim autoritar i IRGC-së do të sillte stabilitetin duke zbutur zakonet personale, dhe shumë iranianë mund ta pranonin atë. Por reformistët e vërtetë do të përpiqeshin me siguri të vendosnin një sistem civil laik, në vend se të pranojnë të vazhdojnë të sundohen nga IRGC apo nga kleri.

Në fillim të këtij viti, ish-presidenti Muhammad Khatami, bëri thirrje për “një transformim themelor”. Edhe ish-kandidati popullor për president, Mir Hossein Mousavi, theu heshtjen e tij pas 12 vitesh arresti shtëpiak, kur bëri thirrje për mbajtjen e një referendumi nëse Irani duhet të vazhdojë apo jo të jetë një republikë islamike.

Cilado qoftë forma e tranzicionit, ai mund të jetë kaotik. Vetëm një gjë është e sigurt, thotë zoti Fahas, që është i afërt me klerikët brenda regjimit. Khamenei do të jetë “fakihu i fundit i vërtetë ”. Me fjalë të tjera, do të marrë fund sundimi nga klerikët, siç parashikohej nga babai themelues i revolucionit të 1979-ës. /albeu.com


Shtuar 30.05.2023 11:19