Biznesmeni Irfan Hysenbelliu bëri deklarata të forta sot kundrejt kryeministrit Rama duke thënë se aksionet e IKMT dhe policisë kundër pronave të tij kanë ardhur për shkak të politikës editoriale të mediave që ai ka dhe se bëhet fjalë për një hakmarrje të drejtpërdrejt të kreut të qeverisë ndaj tij.
Hysenbelliu theksoi në një intervistë në News24 gjatë mesditës së sotme se Rama i kishte kërkuar që të shiste televizionin në fjalë, por ai nuk kishte pranuar, gjë për të cilën tani sipas tij po paguan edhe kostot.
Madje, biznesmeni akuzoi kryeministrin edhe se kishte kërkuar të sulmonte një ministër të Jashtëm duke mos përmendur emra, por që në media aktualisht po përflitet se bëhet fjalë për Ditmir Bushatin.
Rama dhe Bushati kanë patur fërkime gjatë negociatave me grekët për çështjen e detit duke bërë që edhe një kryeministër i fuqishëm në rajon të kërkonte në tepsi “kokën” e shefit të diplomacisë shqiptare.
Sa i përket shitjes së News24, vazhdimisht është përfolur se kandidat për blerjen e këtij televizioni nga Hysenbelliu ishte një biznesmen i fuqishëm pranë qeverisë, i cili gjatë viteve të fundit është fuqizuar me koncensione dhe tenderë të mëdhenj të dhënë nga ekzekutivi.
Sëfundmi, biznesmeni në fjalë është futur në tregun mediatik duke qënë në hije pas një tentative të dështuar për të blerë një tjetër TV pasi Hysenbelliu nuk i shiti News24.
Akuzat e Hysenbelliut ndaj kreut të qeverisë janë të forta, mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigjja e Ramës, i cili për momentin është mjaftuar duke dërguar policinë dhe vartësit e Dallëndyshe Bicit në pronat e biznesmenit në fjalë. /albeu.com