Kurti takon tre policët që u rrëmbyen në veri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot do të takohet me Rifat Zekën, Beqir Sefin dhe Mustafë Shemin, tre policët që u rrëmbyen në veri të vendit.

Te tre policët u rrëmbyen ditën e 14 qershorit, teksa u liruan dy ditë më parë.

Në momentin e lirimit të tyre, kryeminstri ishte në Londër, teksa ka përshëndetur lirimin e tyre.

“Gjatë qëndrimit tim në Londër, morëm lajmin e gëzueshëm për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat speciale ushtarake e policore të Serbisë me 14 qershor. 13 ditë pas ata janë në Kosovë e me familjet e tyre. Do t’i takoj për t’i falënderuar për qëndresën dhe për t’u uruar mirëseardhje” tha Kurti në njoftimin e tij.

Dje Kurti ka ka përfunduar vizitën e tij të tretë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar. Duke I bërë një rezyme takimeve të tij në Londër, ai tha se u mirëprit ngrohtësisht nga aleatë e partnerë të Kosovës si në ekzekutivin Britanik ashtu edhe në Parlament.

Duke e nisur me Sekretarin e Punëve të Jashtme, James Cleverly,  me të cilin tha se është në kontakt e komunikim të rregullt, sqaroi se ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, për zhvillimet në Kosovë dhe për rëndësinë e shtensionimit të plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit.

“Republika e Kosovës është përherë mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur e të pandërprerë të Mbretërisë së Bashkuar”, deklaroi Kurti.

Ai shpjegoi se kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Alicia Kearns ka qenë një zë i fuqishëm mbështetës i Republikës së Kosovës në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

“Me të diskutuam për veprimet agresive dhe sulmet e sponsorizuara nga Serbia mbi KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe gazetarët në veri të vendit dhe qëndrimin tonë parimor e demokratik për depërshkalëzim që në qendër ka sundimin e ligjit”.

Teksa shpjegoi se Kosova është me fat që në Pallatin e Westminster ka shumë miq, tha se atje u takua  deputetë të Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group), konservatorë, liberal-demokratë e laburistë.

“Nga Partia Laburiste, një takim të ndarë zhvillova edhe me Sekretarin në hije të Punëve të Jashtme, David Lammy dhe Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty”.

E sipas tij, miq laburistë, Kosova ka edhe jashtë institucioneve, por që ishin kyç aq sa i drejtonin ato.

“Republika e Kosova dhe populli i saj i janë përherë mirënjohës ish-kryeministrit britanik Tony Blair për rolin dhe vendosshmërinë e tij për ndërhyrjen humanitare në Kosovë e cila ndali përfundimisht gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët vendas”, dekalroi Kurti një një postim në llogarinë e tij në Facebook.

“Në takimin miqësor që patëm e njoftova për arritjet e Kosovës në rrafshin ekonomik, social, të të drejtave të njeriut, dhe institucional, duke ndarë me të bindjen që Kosova është histori e etabluar e suksesit të dyfishtë: intervenimit të NATO-s dhe i bashkëdyzimit të progresit ekonomik dhe atij demokratik”./express.


Shtuar 28.06.2023 08:21