Kurti s’ka fjalë për kufizimet e energjisë: Ata që dështuan për dekada të shohin veten në pasqyrë

Kryeministri Albin Kurti është shprehur se ata që qeverisën për vite të tëra duhet të shohin veten në pasqyrë para se të flasin për qeverinë aktuale që ka vetëm 9 muaj në pushtet.

Komentet Kurti i bëri në mbledhjen e 50-të të qeverisë së Kosovës.

Kurti tha se ndonëse vendi ndodhet në krizë të vështirë energjetike po bëhet gjithçka është e mundur që të dilet sa më lehtë nga situata.

“Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike po bëjmë gjithë çfarë mundemi e krejt çka dimë që të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj, ndërkaq ata që për dështimet e tyre për dekada kërkojnë llogari nga ne që sot shënojmë 9 muaj në qeveri duhet më parë ta shohin vetën në pasqyrë. Zëri i tyre i lartë i propagandës nuk duhet ta turbullojë zërin tonë të arsyes”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës foli për punën e qeverisë që drejton këto 9 muaj.

“Si kurrë më parë ekonomia jonë është kthyer drejt zhvillimit, para gjashtë ditësh është votuar buxheti më i madh në histori.Eksportet kosovare deri në tetor 2021 janë në vlerë të 614 milionë euro investimet e huaja direkte në vitin 2021 janë 388.9 milionë euro që përbën 80% ngritje. Kemi regjistruar mbi 10 mijë vende të reja të punës”, tha ai ndër të tjera./albeu.com/