Kurti optimist për marrëveshje Kosovë-Serbi, pas “qasjes së re”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë.

Ai i ka bërë këto deklarata në kuadër të seminarit të 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s që është mbajtur këtë herë në Prishtinë.

Në diskutim e sipër me pjesëmarrësit, Kurti ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel, është krijuar një qasje e re, duke përmendur kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.

Sipas tij, “dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim të krizave, por dialogu duhet të jetë për marrëveshje”.

“Tani jemi futur në një fazë të re, prej 18 gushtit të këtij viti. Kjo është fazë e re sepse tema e parë në zyrën e (kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep) Borrell në Bruksel ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Pra dialogim për marrëveshje, do të diskutojmë kornizën. Tani unë jam shumë më optimist, sepse, krahasuar me të kaluarën, kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit, dhe po shndërronte këtë çështje në motivim për zvarritje të procesit, tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund, por në qendër të marrëveshjes”.

Ai nuk ka përjashtuar edhe diskutimin e temave tjera në kuadër të dialogut, mirëpo ka insistuar që pjesë qendrore është “njohja e ndërsjellë”.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

“Ballkani Perëndimor, rajon me shumë probleme të pazgjidhura”

Përgjatë fjalimit të tij në seminarin me temën, “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”, Kurti ka thënë ky rajon është shumë i cenueshëm në aspektin e stabilitetit dhe sigurisë.

Mirëpo, sipas tij, “Republika e Kosovës është shumë e qartë në orientimin e saj politik dhe strategjik drejt integrimit në strukturat euro-atlantike” dhe se Qeveria e Kosovës po punon në përafrim me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

“Ndonëse Kosova nuk është pjesë e NATO-s, NATO-ja është në Kosovë dhe ne jemi pjesë e historisë së njëri-tjetrit, të tanishmes së njëri-tjetrit dhe besoj që e edhe të ardhmes së njëri-tjetrit”.

NATO-ja është prezente në Kosovë përmes misionit të saj KFOR.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë edhe në të kaluarën se synojnë të jenë anëtare në programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në këtë program.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në realizim të këtij synimi ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i 30 vendeve anëtare të Aleancës.

Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 26 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo./REL


Shtuar 9.10.2022 14:43