Kurti i tha po planit franko – gjerman, reagon presidentja Osmani: Dje u pranuan disa propozime jo të lehta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimit të djeshëm të Kurtit me Vuçiqin në Bruksel. Ajo “vlerëson” se ky takim shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Presidentja Osmani vlerëson se takimi i 27 shkurtit në Bruksel, në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian (BE) dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ai i kontribuon paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.”

Mirëpo, Osmani ka thënë se dje janë pranuar disa propozime jo të lehta.

“Megjithatë, sipas Presidentes Osmani, me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit.”

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina tha për Express se Presidentja konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës

“Presidentja Osmani thekson se çdo rezultat i dialogut duhet ta ruajë integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionalitetit e brendshëm të Kosovës. Siç ka thënë vazhdimisht Presidentja Osmani dhe sikur ka nënvizuar edhe presidenti Biden, procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohjen reciproke, ndaj Plani Evropian mund të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi. Presidentja konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Kupina.

Dje në Bruksel është mbajtur takimi mes Kurtit e Vuçiqit në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi, ku u fol për planin franko-gjerman. Pas këtij takimi, Kurti tha se ishte i gatshëm që ta nënshkruajë ai, por jo edhe presidenti serb./express


Shtuar 28.02.2023 16:23