Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për shkak të krizës energjike zgjidhja ka qenë ndërmjet reduktimit të rrymës apo shtrenjtimit të saj.
Sipas tij, çmimet e importit janë shtatëfishuar dhe një megavat energji më 21 dhjetor, sipas Kurtit, kushtoi 515 euro.
Megjithatë, Kurti tha situata me energjinë është stabilizuar.
“Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
Kreu i ekzekutivit tha se po mundohen që të riparojnë problemet në bllokun B2, pasi sipas Kurtit, as gjysma e konsumit nuk mund të mbulohet nga prodhimi i energjisë elektrike në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
“Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjell në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro”, tha Kurti.
Më 22 dhjetor, autoritetet njoftuan se do të ketë reduktime prej 2 orësh për të gjithë konsumatorët. Por, qytetarët në zona të ndryshme të Kosovës kanë raportuar për reduktime më të gjata se 2 orë.
Për shkak të krizës me energjinë elektrike, Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.
Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë, por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.
Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast Qeveria është e obliguar t’i ndërpresë ato.
Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.