Kurti flet pas shumë kohësh për takimin me Aleksandër Vuçiç dhe tregon detaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për takimin e radhës me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Sipas burimeve, ekziston mundësia që takimi i ardhshëm i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç të zhvillohet në javën e dytë të dhjetorit, në Bruksel.

Duke folur për këtë, kryeministri Kurti tha sot në një konferencë për media se po diskutohet mundësia e një takimi para fundit të këtij viti.

“Është diskutuar mundësia e një takimi të mundshëm në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel, me presidentin e Serbisë”, tha Kurti.

Ai tha se nuk ka informacione nëse Serbia po kushtëzon vazhdimin e dialogut. Sipas tij, mbajtja e takimit varet nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisari i tij, Miroslav Lajçak.

“Nuk kam kurrfarë informacione që ka kushtëzime nga ndokush, veçse vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë ose jo, i përket ndëmjetësuesit apo lehtësuesit – siç e quajnë ata veten – përkatësisht Z. Joseph Borrell dhe emisarit të tij, Miroslav Lajçak. Janë ata të cilët e vlerësojnë nëse do të na i dërgojnë ftesat ose jo, e jo çfarëdo kushtëzimi i palës tjetër”, u shpreh Kurti.

Brenda dy javësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bisedoi dy herë në telefon me të ngarkuarin e SHBA-së për mbikëqyrjen e politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar. Në një njoftim të kryeministrisë së Kosovës një ditë më parë thuhet se “SHBA-të janë të përkushtuara që të ketë përparim në dialog dhe mbështesin Kosovën dhe synimet e saj drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se “Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve”. “Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, kemi pasur shumë tensione gjatë verës. Situata është më e qetë së fundi. Por ka nevojë që dialogu të rikthehet sepse nuk ka rrugë tjetër për ta stabilizuar situatën”, tha Josep Borrell.

Një javë më parë në Prishtinë dhe Beograd qëndroi i ngarkuari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajҫak në përpjekje që të aranzhojë një takim siҫ u tha rezultativ Kosovë-Serbi. Sipas tij, “BE-ja shpreson se do të mbahet takimi para fundit të vitit”.

“Nuk është në pyetje takimi, sepse liderët janë takuar dy herë, por siç e dini nuk ka pasur rezultate pozitive. Kësaj here, ambiciet tona janë ndryshe dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe për t’u pajtuar se cili do të jetë rezultati”, tha Lajçak duke shtuar se “palët kanë shprehur vullnet të mirë për procesin e dialogut dhe ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate”./albeu.com/