Kurti e takon Abazoviç për herë të parë pasi u bë kryeministër, nuk flasin për demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar për herë të parë me Dritan Abazoviç, pas zgjedhjes kryeministër i Malit të Zi. Takimi mes dy kryeministrave është zhvilluar në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Fillimisht, sipas njoftimit, kryeministri Kurti e uroi kryeministrin Abazoviç për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët. Megjithatë, mes dy kryeministrave, nuk është hapur tema e demarkacionit, një çështje që ende diskutohet në Kosovë, por edhe e në Mal të Zi.

Vlen të theksohet se Abazoviç, pas zgjedhjes kryeministër, e ka konsideruar çështje të mbyllur rihapjen e çështjes së demarkacionit.

“Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi z. Abazoviç për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha. Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviç tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Zyra e Kryeministrit njofton se u diskutua edhe për çështje të tjera, që lidhen  me lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe tema të tjera.

“U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve. U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti”, thuhet në fund. /GazetaExpress


Shtuar 25.05.2022 10:25