Kursim energjie dhe nafte, administrata sot pushim

Sot dhe nesër (21 dhe 22 mars) punonjësit e administratës shtetërore do të jenë pushim.

Lajmin e ka bërë të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili shtoi se do të bëhet edhe një tjetër mbledhje qeverie që ta bëjmë ditën e hënë pa makina, për të kursyer, jo për ekologji.

Sipas vendimit të qeverisë dita e punës do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda këtij viti.

Në një takim me përfaqësues të shoqatave të transportit, Rama u ndal te rritja e çmimit të naftës dhe energjisë dhe problemi i mungesës në treg.

Rama solli në vëmendje se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka nxjerrë një plan me 10 pika për kursimin e energjisë dhe të naftës.

“Dy prej këtyre pikave ne i kemi diskutuar dhe i kemi në draft planin tonë të kursimeve të energjisë dhe naftës. Agjencia përmendte një gjë që ne e kemi diskutuar dhe do ta bëjmë. Ne kemi vendosur në mbledhjen e qeverisë që dita e hënë të jetë pushim dhe do të bëjmë një tjetër mbledhje qeverie që ta bëjmë ditën e hënë pa makina, për të kursyer, jo për ekologji. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka caktuar ditën e diel pa makina. Po ashtu plani ka edhe 3 ditë mos vajtje në punë dhe punë nga shtëpia si në kohën e pandemisë, për shkak kursimi. Kjo është situata”, shtoi Rama.