Kur teknologjia nuk njeh kufij! Për 5 vjet celularët do mund të parashikojnë edhe vdekjen

Nga sa dëgjojmë, kemi disa lajme të mira, por disi të frikshme nga bota e teknologjisë. Dikur mund të kishim parë në filma fantashkencë pajisje që parashikonin se kur dikush do të vdiste. Tani kjo po bëhet realitet, të paktën siç thonë shkencëtarët, në 5 vitet e ardhshme do të shohim shumë mrekulli. Sipas studiuesve amerikanë, të dhënat e mbledhura nga sensorët e lëvizjes së telefonit celular nga vetëm gjashtë minuta ecje e dikujt mund të jenë të mjaftueshme për të parashikuar mundësinë e vdekjes brenda pesë viteve të ardhshme. Sado e tmerrshme që tingëllon kjo, ne nuk mund të mos mendojmë për anën pozitive të gjithë kësaj. Në këtë mënyrë mund të shmangen shumë vdekje të papritura.

Një studim, i udhëhequr nga Bruce Satz i Universitetit të Illinois, i botuar në revistën e shëndetit dixhital PloS Digital Health, sipas New Scientist, zbuloi se saktësia e metodës së mësipërme është afërsisht e krahasueshme me atë të metodave të tjera më tradicionale të parashikimit. Por çfarë do të thotë kjo? Sa i saktë do të jetë ky parashikim? A po luajmë sërish me shanset? A është e gjithë kjo vetëm një lojë e shkencëtarëve për të marrë nga kompanitë e teknologjisë? Nuk e dimë saktësisht, duam të besojmë se gjithçka është e ligjshme.

Hulumtimet e mëparshme kanë vlerësuar rrezikun e vdekjes së hershme në bazë të nivelit të përgjithshëm të aktivitetit fizik, duke përdorur sensorë në pajisje të tjera si “fashat” dhe orët “inteligjente”. Pothuajse të gjithë njerëzit tani kanë telefona celularë “të zgjuar” (smartphone) me sensorë të ngjashëm lëvizjeje, por ata nuk e kanë telefonin me vete gjatë gjithë kohës, kështu që niveli i tyre i përgjithshëm i aktivitetit fizik nuk mund të regjistrohet në mënyrë të besueshme. Do të shohim shumë në vitet në vijim në teknologjinë shëndetësore dhe rolin e parë do ta kenë celularët duke qenë se janë pajisjet që kemi gjithmonë me vete. Ata një ditë mund të jenë në gjendje të na mbrojnë nga ndonjë sëmundje ose vdekje e papritur.

Për të gjetur një parashikues alternativ të rrezikut, studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore të 100,655 njerëzve që mbanin një rrip dore elektronik me një sensor lëvizjeje për një javë. Gjatë pesë viteve të ardhshme, rreth 2% e pjesëmarrësve kishin vdekur për shkaqe të ndryshme. Mund të duket paksa e tmerrshme, por është jashtëzakonisht praktike dhe e dobishme për jetën tonë. Mendoni se si mund t’i kurseni vetes shumë telashe dhe veçanërisht më të madhen nga të gjitha.

Analiza e AI – me ndihmën e një algoritmi që vlerësonte rrezikun e vdekjes së hershme bazuar vetëm në përshpejtimin gjatë një shëtitjeje gjashtë minutëshe – tregoi se kur sëmundje të tilla si sëmundjet e zemrës dhe mushkërive janë të pranishme, njerëzit shpesh ngadalësojnë ritmin dhe pastaj e shpejtojnë sërish në doza të vogla. Modeli i ri mund të parashikojë, bazuar në analizën e përshpejtimit dhe ngadalësimit, rrezikun e ardhshëm të vdekjes, me një saktësi të krahasueshme me tregues të tjerë më tradicionalë (p.sh. nëpërmjet pyetësorëve shëndetësorë ose aktivitetit total ditor).

Edhe pse hulumtimi i ri përdori sensorë lëvizjeje të veshur në kyçin e dorës, sipas Satz, telefonat inteligjentë gjithashtu mund të masin përshpejtimin gjatë një shëtitjeje të shkurtër, gjë që lejon një parashikim të ngjashëm rreziku. Madje studiuesit sugjerojnë se është e mundur të përdoren të dhënat nga celularët në nivel të gjithë popullsisë së një vendi, për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të banorëve.


Shtuar 3.05.2023 17:10