Kur Salma Hayek i thotë “jo” dasmës së Bezos dhe “po” festivalit

Ndërsa shumë fytyra të njohura të showbiz-it udhëtuan drejt Venecias për dasmën madhështore të Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, Salma Hayek kishte plane të tjera. E ftuar, por mungesë e ndjerë në ceremoninë e shumëpërfolur, aktorja meksikano-amerikane zgjodhi të shijojë energjinë e Festivalit Glastonbury në Angli.

Në vend të fustaneve glamuroze buzë kanaleve të Venecias, Hayek u shfaq në mes të turmës artistike të Somerset, në krah të emrave si Stella McCartney, Cara Delevingne, Anya Taylor-Joy dhe Chelsea Handler.

Një zgjedhje ndryshe, por aspak e papërshtatshme për dikë që njihet për shpirtin e saj të lirë dhe refuzimin për të ndjekur gjithmonë protokollin e të famshmëve.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj, miliarderi francez Francois-Henri Pinault, ishte pjesë e festimeve në Venecia, i fotografuar në një “taksi uji” përkrah Kim Kardashian, Oprah Winfrey, Orlando Bloom, Tom Brady dhe Leonardo DiCaprio.


Shtuar 1.07.2025 19:00